SPAK po verifikon lidhjet mes kompanisë së Ardit Metaliajt dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë, përfshirë dyshimet për përfitime të fshehta në tenderat publikë
Kompania “4-AM”, një nga përfitueset më të mëdha të fondeve publike gjatë viteve të fundit, është përfshirë në një hetim të gjerë për korrupsion dhe pastrim parash. Hetimet kanë nisur pas dyshimeve se përmes kësaj kompanie janë kryer transfertë të fshehta jashtë vendit në favor të ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
“4-AM” është në pronësi të biznesmenit Ardit Metaliaj, por burime nga drejtësia bëjnë të ditur se pas kompanisë qëndron në mënyrë të tërthortë oligarku Bashkim Ulaj, një emër i njohur për marrëdhëniet e afërta me pushtetin dhe përfshirjen në projekte publike me vlera të mëdha.
Sipas të dhënave nga Thesari i Shtetit, gjatë periudhës 2015–2019 kompania ka përfituar rreth 45 miliardë lekë nga buxheti publik, duke u renditur ndër më të favorizuarat në kontratat e dhëna nga institucione të ndryshme. Tenderat më të mëdhenj janë dhënë nga Bashkia e Tiranës, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe KESH, ndërsa në disa raste kontratat janë lidhur pa garë ose me dokumente të diskutueshme.
Hetimet e SPAK po përqendrohen në marrëdhëniet e kompanisë me zyrtarë të lartë të ministrisë, si dhe në lëvizjet financiare që dyshohet se janë bërë drejt llogarive jashtë Shqipërisë. Burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se transfertat janë realizuar në drejtim të Shteteve të Bashkuara dhe Dubait, përmes kompanive offshore, ku dyshohet se përfitues janë persona të lidhur me Ballukun.
Në qendër të hetimit janë gjithashtu disa tendera të fituar nga “4-AM” gjatë periudhës kur Balluku drejtonte ministrinë, për të cilët dyshohet se janë favorizuar në mënyrë të paligjshme. Një raport i mëparshëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit kishte evidentuar falsifikime dokumentesh në tendera publikë të kësaj kompanie, por pavarësisht rekomandimeve për përjashtim nga garat, ajo ka vijuar të përfitojë fonde shtetërore.
Hetuesit po shqyrtojnë edhe rolin e Metaliajt si person që menaxhon aktivitetet e kompanisë në emër të Bashkim Ulajt, i cili sipas të dhënave paraprake ka përfituar qindra milionë euro përmes rrjetit të tij të ndërmarrjeve ndërtimore dhe energjetike.
Prokuroria po ndjek gjurmët financiare që lidhen me tenderat e dhënë pa konkurrencë, me dyshimin se këto skema janë përdorur për të pastruar fonde publike nëpërmjet kompanive private. Rasti “4-AM” shihet si pjesë e një mekanizmi më të gjerë që ka lejuar për vite me radhë qarkullimin e parave publike drejt interesave private, nëpërmjet kontratave të manipuluara dhe lidhjeve politike.
