
Mazhoranca refuzon ngritjen e dy komisioneve hetimore të propozuara nga opozita, ndërsa çështja e spitalit Onkologjik do të trajtohet përmes një interpelance me afat 30-ditor.
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve në Kuvend është mbyllur me vendime të rëndësishme politike, duke thelluar përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës. Deputetët socialistë nuk pranuan kërkesat e Partisë Demokratike për ngritjen e dy komisioneve hetimore: një për rastin “McGonigal” dhe një tjetër që lidhet me zgjedhjet vendore të 11 majit.
Burime nga mbledhja bëjnë të ditur se Partia Socialiste kërkoi më shumë argumente dhe sqarime ligjore për të dy propozimet, duke shtyrë vendimin përfundimtar për në seancën plenare të 30 tetorit, ku pritet të paraqiten versionet e ripunuara të kërkesave.
Në të njëjtën mbledhje, u vendos që mocioni me debat për situatën në Spitalin Onkologjik të shndërrohet në një interpelancë me Ministren e Shëndetësisë, Sala. Deputetët kanë caktuar një periudhë 30-ditore për zhvillimin e seancës dhe marrjen e përgjigjeve nga ministrja në lidhje me problematikat e ngritura nga opozita mbi menaxhimin e shërbimeve në këtë institucion.
Konferenca u drejtua nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi dhe trajtoi gjithashtu disa propozime të tjera të dorëzuara nga grupet parlamentare, ndërsa mbetet e qartë se raportet mes mazhorancës dhe opozitës vijojnë të tensionohen në prag të një sesioni të ri politik të ngarkuar me çështje hetimore dhe polemika parlamentare.