
Kitaristi u rrëzua në shtëpinë e tij dhe pësoi dëmtime të rënda në kokë, ndërsa qëndroi për javë të tëra në mbështetje jetësore
Shkaku i vdekjes së Ace Frehley, një nga anëtarët themelues të grupit legjendar të rokut KISS, është konfirmuar nga autoritetet mjeko-ligjore në Morris County. Sipas raportimeve, artisti 74-vjeçar ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda në kokë, të marra pas një rrëzimi në banesën e tij, ngjarje që e la atë në gjendje kritike për disa javë.
Familja e tij njoftoi vdekjen më 16 tetor, duke shprehur dhimbjen e madhe dhe duke theksuar se humbja e tij shënon një moment të rëndë për komunitetin muzikor dhe fansat në të gjithë botën. Para njoftimit zyrtar, Frehley raportohej se ishte mbajtur me ventilim mekanik, ndërsa mjekët nuk shihnin përmirësim të gjendjes së tij.
Pak javë para tragjedisë, menaxhmenti i artistit kishte bërë të ditur në rrjetet sociale se rrëzimi ishte i lehtë, por për shkak të gjendjes shëndetësore ai do të anulonte disa koncertet e planifikuara. Më pas rezultoi se ai kishte pësuar hemorragji cerebrale, e cila u komplikua rëndë.
Në një deklaratë të përbashkët, Gene Simmons dhe Paul Stanley e përshkruan Ace Frehley si një pjesë thelbësore në historinë dhe identitetin e KISS, duke theksuar se vendi i tij në grup është i pazëvendësueshëm. Edhe pse ai u largua nga grupi në vitin 1982, marrëdhëniet mes tyre për vite kanë qenë të luhatshme, por ndikimi i tij muzikor mbeti i padiskutueshëm.
Pas largimit nga KISS, Frehley formoi grupin Frehley’s Comet dhe vazhdoi një karrierë të suksesshme solo, ku vazhdoi të mbeste një figurë e dashur në skenën e rokut.
Ai la pas të bijën, Monique, dhe bashkëshorten Jeanette Trerotola.
