Në krye të Drejtorisë së Tatimeve ndodhet një rast i pastër i konfliktit të interesit; babai me kompani auditimi, djali drejtor i institucionit që mbikëqyr ato kompani. Juristët flasin për shkelje ligjore dhe mungesë reagimi institucional.
Në tetor të vitit 2024, Ilir Binaj u emërua në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke u prezantuar si një profesionist me karrierë ndërkombëtare dhe certifikime të larta në fushën e auditimit. Emërimi i tij u prit si një sinjal reformimi dhe afrimi me standardet perëndimore, por një vit më vonë, drejtoria që ai drejton është në qendër të një skandali për konflikt interesi familjar.
Sipas dokumenteve zyrtare, babai i tij, Agim Binaj, zotëron dy kompani auditimi: “TPA Albania shpk” dhe “ASC CPAs”, të regjistruara në Institutin e Ekspertëve Kontabël të Autorizuar. Kjo situatë e vendos drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve në konflikt të hapur interesi, pasi institucioni që ai drejton mbikëqyr dhe auditohet nga subjektet e familjarëve të tij.
Avokati Muharrem Doku, ish-drejtor i auditit në Tatime, e cilëson rastin si shkelje të qartë ligjore. “Çdo punonjës i administratës publike duhet të deklarojë konfliktin e interesit, sidomos kur bëhet fjalë për pozicione që prekin drejtpërdrejt subjektet që kanë lidhje familjare. Në këtë rast, drejtori duhej të kishte refuzuar detyrën,” – tha Doku.
Edhe avokati Arben Llangozi ndan të njëjtin qëndrim, duke paralajmëruar se konflikti mund të përfshijë edhe elementë të korrupsionit. “Nëse drejtori ka ndërhyrë në subjektet që auditohen nga babai, kemi jo vetëm konflikt interesi, por edhe mundësi për favorizim apo veprime fiktive që duhen hetuar nga SPAK,” – deklaroi ai.
Ligji nr. 9920/2008 “Për Procedurat Tatimore” ndalon çdo formë përfshirjeje të punonjësve në marrëdhënie që krijojnë interes personal apo familjar me subjektet që kontrollohen nga administrata tatimore. Nenet 17, 22, 26 dhe 82 të këtij ligji, sipas ekspertëve, përbëjnë bazën për hetim dhe shkarkim nga detyra.
Rasti Binaj ngre pyetje të forta për mungesën e filtrimit institucional në momentin e emërimit, si dhe për heshtjen e Ministrisë së Financave dhe ILDKPI. Sipas avokates Margarita Kola, “mungesa e ndëshkimit ndaj rasteve të mëparshme, si ai i ish-drejtorit Ceno Klosi, krijon një kulturë mosndëshkimi që e bën konfliktin e interesit normë, jo përjashtim.”
Sot, Drejtoria e Tatimeve është sërish në qendër të kritikave për mungesë transparence dhe për keqpërdorim të pozitave publike për përfitime familjare. Kur babai auditon dhe i biri firmos, shteti humbet besueshmërinë, ndërsa qytetari humbet besimin te ligji.
