
Sherri për motive të dobëta çon në pranga autorin e dyshuar, një 18-vjeçar procedohet për moskallëzim krimi
Një konflikt mes të rinjve ka përfunduar me plagosje në qytetin e Gjirokastrës, duke sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të policisë dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër kanë arrestuar në flagrancë një 19-vjeçar, banues në fshatin Asim Zenel, i cili dyshohet se gjatë një sherri për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës një të ri tjetër.
I plagosuri, një 24-vjeçar banues në Gjirokastër, ndodhet aktualisht në spital dhe, sipas mjekëve, është jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve hetimore, policia ka referuar materialet në Prokurori edhe për një 18-vjeçar, i cili po procedohet penalisht për veprën e moskallëzimit të krimit, pasi dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit, por nuk ka njoftuar autoritetet.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe apelon për shmangien e konflikteve që mund të përshkallëzohen në pasoja të rënda penale.
