Njësi të specializuara të policisë dhe të Drejtorisë së Burgjeve zhvilluan një operacion të befasishëm në institucionin e vuajtjes së dënimit në Durrës, pas dyshimeve për praninë e sendeve të ndaluara brenda ambienteve të sigurisë së lartë.
Forca të shumta policie kanë zbarkuar mëngjesin e sotëm në burgun e Durrësit, në kuadër të një operacioni kontrolli të zhvilluar pa paralajmërim. Burime nga institucioni bëjnë me dije se kontrollet janë përqendruar në disa qeli dhe ambiente të përbashkëta, përfshirë edhe ato ku qëndrojnë persona të njohur publikisht, si kryebashkiaku Erion Veliaj, ish-deputeti Jurgis Çyrbja, ish-ministrat Lefter Koka dhe Ilir Beqaj, si dhe ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako.
Operacioni u zhvillua pas informacioneve operative se në disa dhoma mund të fshiheshin sende të ndaluara, përfshirë lëndë narkotike, telefona celularë dhe pajisje të tjera komunikimi. Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në aksion morën pjesë dhjetëra efektivë të njësive të ndërhyrjes së shpejtë, të cilët kryen kontrolle të imta në dhomat e banimit dhe hapësirat e përbashkëta të institucionit.
Kontrollet kanë për qëllim parandalimin e çdo aktiviteti të paligjshëm brenda sistemit penitenciar, ndërsa ende nuk është bërë e ditur nëse gjatë aksionit janë gjetur materiale të ndaluara.
Sipas të njëjtave burime, operacione të tilla do të vazhdojnë në mënyrë të befasishme edhe në burgje të tjera të vendit, në kuadër të masave për forcimin e rendit dhe sigurisë në institucionet e vuajtjes së dënimit.
