
Defektet në disa nënstacione lanë pa drita 1700 banesa, ekipet e OSSHE në terren prej dy ditësh
Stuhia e fortë që ka goditur Korçën gjatë dy ditëve të fundit ka shkaktuar probleme serioze në rrjetin elektrik, duke lënë rreth 1700 familje pa furnizim me energji. Situata më e rënduar raportohet në Bilisht, ku një defekt në nënstacionin kryesor ka ndërprerë energjinë për 1444 familje të zonës.
Probleme të shumta janë shënuar edhe në fshatrat Protopapë, Peshtan, Mazrekë dhe Pulahe, ku 208 banesa kanë mbetur në errësirë pas një defekti në nënstacionin e Rehovës. Ndërkohë, në Panarit, Ballabanovë, Treske dhe Grabockë, rreth 50 familje vuajnë ndërprerjen e furnizimit për shkak të një defekti të fidrit nr. 6.
Sipas të dhënave zyrtare, gjashtë ekipe të OSSHE Korçë ndodhen në terren për riparimin e linjave dhe rikthimin e energjisë. Megjithatë, terreni malor dhe largësia e linjave elektrike po ngadalësojnë ritmin e ndërhyrjeve, duke e bërë më të vështirë rikthimin e shpejtë të furnizimit.
Autoritetet njoftojnë se puna do të vijojë deri në normalizimin e situatës, ndërsa banorët e zonave të prekura janë kërkuar të tregojnë kujdes dhe të raportojnë çdo problem të ri në rrjet.
