
Koreja e Veriut ka prezantuar për herë të parë raketën e saj më të avancuar ndërkontinentale, Hwasong-20 ICBM, gjatë një parade madhështore ushtarake në kryeqytetin Phenian, me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Partisë së Punëtorëve. Ngjarja u zhvillua nën drejtimin e liderit Kim Jong Un, duke u shndërruar në një demonstrim të hapur të fuqisë bërthamore të vendit.
Sipas agjencisë shtetërore KCNA, Hwasong-20 përfaqëson sistemin më të fuqishëm strategjik bërthamor të ushtrisë koreane. Raketa, e montuar mbi një kamion gjigant me 11 bosht, është e pajisur me motorë të rinj me karburant të ngurtë, të ndërtuar me fibra karboni, që prodhojnë 1,971 kilonewton shtytje, më shumë se çdo motor i mëparshëm i testuar nga Koreja e Veriut.
Ekspertët ndërkombëtarë besojnë se Hwasong-20 është projektuar për të mbajtur shumë koka bërthamore, gjë që do ta bënte më të vështirë për sistemet e mbrojtjes amerikane ta neutralizonin në rast sulmi. “Kjo raketë është kulmi i ambicies së Koresë së Veriut për të zhvilluar kapacitet të plotë goditjeje ndërkontinentale,” -tha analisti Ankit Panda nga Carnegie Endowment for International Peace.
Në fjalimin e mbajtur pas paradës, Kim Jong Un e përshkroi Korenë e Veriut si një anëtare besnike e forcave socialiste dhe një mburojë kundër hegjemoni së Perëndimit. Ai shtoi se populli korean është sot më i fortë se kurrë dhe i aftë të përballojë çdo sfidë.
Ngjarja u ndoq edhe nga Dmitry Medvedev, zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe aleat i ngushtë i presidentit Vladimir Putin. Medvedev falënderoi Korenë e Veriut për mbështetjen e palëkundur ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, duke theksuar bashkimin e popujve që qëndrojnë krah për krah në kohë provash.
Kim, në përgjigje, shprehu dëshirën për bashkëpunim më të ngushtë me Rusinë dhe për thellimin e marrëdhënieve politike, ushtarake e ekonomike mes dy vendeve.
Parada e 80-vjetorit dhe prezantimi i raketës Hwasong-20, konfirmojnë orientimin e Phenianit drejt forcimit të armëve bërthamore dhe partneritetit strategjik me Moskën, një zhvillim që rrit ndjeshëm tensionet në Azi dhe përtej saj.