
Arrestime, bastisje dhe hetime të hapura, por asnjë aktakuzë për skandalet që tronditën shtetin në vitin 2025
Gjatë vitit 2025, opinioni publik në Maqedonia e Veriut u përball me një seri skandalesh të dyshuara korrupsioni në nivelet më të larta të pushtetit dhe biznesit, të cilat ende nuk kanë prodhuar as aktakuza dhe as mbyllje zyrtare hetimesh. Pavarësisht arrestimeve, bastisjeve dhe deklaratave publike, shumica e çështjeve mbeten pezull.
Në qendër të vëmendjes ishte hetimi për furnizimin me mazut të TEC Negotinë për periudhën 2021–2023, ku Prokuroria dyshon për dëmtim të buxhetit shtetëror në vlerën e rreth 167.5 milionë eurove. Mostrat e mazutit janë dërguar për ekspertizë jashtë vendit, ndërsa autoritetet presin ende dokumentacion shtesë dhe asistencë profesionale për të çuar përpara procedurat.
Biznesmenët Asmir Jahoski dhe Ratko Kapushevski u arrestuan në kuadër të kësaj dosjeje, por aktualisht ndodhen nën masa kujdesi, përfshirë paraqitje periodike në gjykatë, garanci financiare dhe konfiskim të dokumenteve të udhëtimit. Hetimi përfshin gjithsej 13 persona të dyshuar dhe një kompani, me akuza për keqpërdorim të prokurimeve publike dhe pastrim parash.
Paralelisht, autoritetet kryen bastisje edhe në zyrën e ish-drejtorit të SOZR, Pece Mirçevski, ndërsa në disa raste u raportua edhe për “indikacione” mbi vendndodhjen e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, i cili përmendet në disa afera të rënda, përfshirë skandalin e Lotarisë Shtetërore. Grubi vijon të jetë në arrati, ndërsa hetimet ndaj tij nuk kanë prodhuar ende veprime konkrete penale.
Në fund të vitit, situata u komplikua më tej nga dorëheqja e Prokurorit të Shtetit Ljupço Kocevski, në dhjetor 2025. Në vend të tij u emërua si ushtruese detyre Anita Topolova-Isajllovska, duke hapur një periudhë tranzicioni për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë Publike.
Pavarësisht volumit të madh të dyshimeve dhe shifrave marramendëse të dëmeve të pretenduara, mungesa e rezultateve konkrete ligjore ka shtuar mosbesimin e qytetarëve ndaj institucioneve, duke e bërë luftën kundër korrupsionit një nga sfidat më të mëdha të shtetit fqinj.
