
Zbulimi i këtij dokumenti riafirmon se, qysh në 1991, brenda qarqeve diplomatike perëndimore, çështja e Kosovës shihej si problem i të drejtave të njeriut dhe jo vetëm si nyje e hartës jugosllave, ndërsa vizioni i Rugovës për republikë/pavarësi, me garanci për trashëgiminë fetare dhe pakicat, artikulohej qartë përballë syve të diplomacisë evropiane.
Një kabllogram diplomatik i Ambasadës Gjermane në Beograd, hartuar pas një misioni dyditor në Prishtinë më 11–12 dhjetor 1991 nga diplomati Th. Schmitt (në grup me përfaqësues të Norvegjisë dhe Britanisë), hedh dritë të re mbi qëndrimet perëndimore dhe vizionin e Ibrahim Rugovës, në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë.
Sipas dokumentit, Rugova paraqiti tri rrugë politike: nëse Jugosllavia mbetej e bashkuar, Kosova të bëhej republikë e barabartë; nëse kufijtë ndryshonin sipas parimit etnik, të bashkohej me trevat shqiptare në Mal të Zi e Maqedoni; nëse Jugosllavia shpërbëhej, të krijohej një shtet i pavarur gjithëshqiptar. Ai nuk e përjashtoi një rishikim territorial në veri, duke theksuar se vetëm Leposaviqi kishte shumicë serbe, ndërsa pranoi idenë e ekstraterritorialitetit për manastiret serbe dhe garanci të zgjeruara për pakicat në një Kosovë të pavarur.
Kabllogrami pasqyron presionin sistematik serb ndaj shqiptarëve: shkarkime, ndalime arbitrare, bastisje dhe përshkruan një atmosferë koloniale, ku zyrtarët serbë vepronin me arrogancë e abuzime, ndërsa shqiptarët flisnin me zë të ulët nga frika e përgjimeve. Në vlerësimin që i përcillet Bonn, trajtimi i shqiptarëve cilësohet si “turp për gjithë Evropën”.
Dokumenti e vendos Kosovën në koordinata më të gjera gjeopolitike: pas rolit vendimtar gjerman në njohjen e Sllovenisë e Kroacisë, në Beograd ishte ndezur një valë antigjermane; ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar mbante linjën e rikthimit të autonomisë, jo të pavarësisë. Komisioni i Arbitrazhit (Badinter) rrëzoi statusin e krahinave si subjekte federale, duke e lënë çështjen e Kosovës në periferi të agjendës zyrtare.
Kabllogrami regjistron gjithashtu takime me figura të tjera politike shqiptare dhe evidenton pritshmëritë e larta ndaj Tiranës, por edhe vlerësimin se bashkimi me Shqipërinë ishte dëshirë e gjerë, por praktikisht i pamundur në atë fazë. Raporti thekson mungesën e kanaleve reale të dialogut me palën serbe dhe dështimet në përpjekjet për arsim e vetëqeverisje.
Në sfond, citohet qasja amerikane: ish-ambasadori Warren Zimmermann e përshkruante rezistencën shqiptare si të frymëzuar nga lëvizjet antikoloniale dhe Gandhi, duke shpjeguar pse Kosova refuzoi hapjen e frontit jugor më 1991, një vendim që, siç paralajmëron edhe kabllogrami gjerman, mund të ketë shmangur masakra ndaj elitës shqiptare.