Pa miratimin e një buxheti të ri për vitin 2026, shteti i Kosovës mund të përballet me paralizë totale ekonomike, paralajmërojnë ekspertët e financave
Kriza institucionale në Kosovë po rrezikon të kthehet në krizë të plotë financiare. Mosarritja për të formuar një qeveri të re po bllokon procesin e përgatitjes së buxhetit për vitin e ardhshëm, duke ngritur frikën se vendi mund të hyjë në vitin 2026 pa fonde për paga, pensione dhe ndihma sociale.
Eksperti i ekonomisë dhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri, paralajmëron se mungesa e një ekzekutivi funksional mund të çojë drejt falimentimit të shtetit. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai tha se pa një qeveri me mandat të plotë, nuk mund të miratohet asnjë ndryshim i ligjit të buxhetit, as të ndahen mjete për muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Sipas Shatrit, qeveria në detyrë nuk ka asnjë bazë ligjore për të miratuar vendime financiare të reja. “Kjo qeveri mund të zbatojë vetëm ligjet ekzistuese. Çdo përpjekje për zgjatje të buxhetit nga ajo do të ishte e paligjshme,” shpjegoi ai, duke kujtuar se buxheti aktual skadon më 31 dhjetor 2025 dhe pas kësaj date çdo pagesë kërkon një vendim të ri të Kuvendit, me propozim nga një qeveri e re.
Nëse kjo nuk ndodh, paralajmëron ai, Kosova do të përballet me bllokim total financiar që nga 1 janari: “Asnjë pagë, pension apo pagesë sociale nuk do të mund të kryhet. As ushtria, policia apo administrata publike nuk do të mund të funksionojnë. Do të mungojnë madje edhe fondet për shërbimet bazike.”
Shatri e konsideron këtë situatë si sinjal alarmi për klasën politike, që sipas tij po shpenzon energji në përplasje dhe jo në ruajtjen e stabilitetit të shtetit. “Është e pafalshme që pas 25 vjetësh liri, Kosova të diskutojë rrezikun e falimentimit. Udhëheqësit duhet të vendosin interesin e vendit përpara interesave partiake,” – tha ai në përfundim.
Në mungesë të një zgjidhjeje politike, institucionet e Kosovës rrezikojnë të përballen me ndërprerje totale të funksioneve financiare që në fillim të vitit të ardhshëm, duke futur vendin në krizën më të rëndë ekonomike që nga paslufta.
