![]()
Ish-kryetari i Kuvendit dhe president në detyrë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare
Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare Nexhat Daci, një nga figurat më të njohura të jetës institucionale dhe politike të Kosovës pas luftës. Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
Nexhat Daci ka mbajtur funksione të rëndësishme shtetërore, përfshirë postin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe detyrën e Presidentit në detyrë në vitin 2006, pas ndarjes nga jeta të Presidentit Ibrahim Rugova. Ai ishte gjithashtu themelues i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe mbeti aktiv në skenën politike edhe pas përfundimit të mandateve të tij institucionale.
I lindur në vitin 1944 në Tërnoc të Bujanocit, Daci kishte një formim të spikatur akademik. Ai ishte kimist, profesor universitar dhe akademik, me studime të përfunduara në Fakultetin e Shkencave Matematike dhe Natyrore në Universitetin e Beogradit, si dhe specializime pasuniversitare brenda dhe jashtë vendit, përfshirë Belgjikën.
Gjatë karrierës së tij, Nexhat Daci u dallua për angazhimin në ndërtimin e institucioneve të Kosovës dhe për kontributin e tij në jetën publike dhe akademike. Ndarja e tij nga jeta shënon humbjen e një personaliteti që la gjurmë në historinë institucionale të vendit.
