

Sukses historik për Kosovën në fushën e teknologjisë. Ekipi kosovar “EngineeringHER Future” është i vetmi nga Kosova që ka arritur në finalen e TEKNOFEST 2025, festivali më i madh ndërkombëtar i aviacionit, hapësirës dhe teknologjisë, i mbajtur këtë vit në Stamboll.
Këtë edicion, TEKNOFEST-i tërhoqi mbi 565 mijë ekipe dhe 1,2 milionë pjesëmarrës nga 96 vende. Prania e Kosovës mes finalistëve përbën një arritje të jashtëzakonshme dhe një dëshmi për potencialin e të rinjve kosovarë në shkencë, inovacion dhe teknologji.
Gjatë qëndrimit në Stamboll, ekipi u takua me Selçuk Bayraktar, drejtor i kompanisë turke të teknologjisë Baykar dhe drejtues i TEKNOFEST-it. Ai vizitoi stendën e Kosovës dhe u njoh nga afër me projektin “EngineeringHER Future”. Ky takim cilësohet një moment i rëndësishëm, pasi sjell njohje ndërkombëtare dhe motivim për brezin e ri të interesuar për teknologji dhe inovacion.
“Ky sukses ka një domethënie të veçantë për qytetarët e Kosovës, sidomos për të rinjtë që duan të merren me shkencë, teknologji dhe sipërmarrje. Jemi krenarë që përfaqësuam vendin në një ngjarje kaq të rëndësishme dhe shpresojmë që historia jonë të frymëzojë shumë të tjerë,” -theksuan anëtarët e ekipit.
Gjatë pesë ditëve të festivalit, pjesëmarrësit prezantuan shpikje në fusha si robotika, inteligjenca artificiale, hapësira, mjekësia digjitale dhe siguria kibernetike.