
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zyrtarizuar këtë të premte vendimin për anulimin e procesit zgjedhor në Bashkinë e Tiranës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që pranoi kërkesën e opozitës për parregullsi në regjistrimin e kandidatëve.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi deklaroi se zgjedhjet e pjesshme vendore do të zhvillohen më 9 nëntor në pesë bashki të tjera të vendit, ndërsa Tirana do të mbetet përkohësisht pa garë elektorale deri në një vendim të ri institucional.
“Pas shqyrtimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, KQZ ka vendosur të zbatojë detyrimin ligjor për anulimin e garës në Bashkinë e Tiranës. Ndërkohë, në pesë bashkitë ku mandati i kryetarëve ka përfunduar ose është ndërprerë, zgjedhjet e pjesshme do të zhvillohen më 9 nëntor,” -deklaroi Celibashi.
Vendimi i Kushtetueses lidhet me një ankimim të paraqitur nga disa forca opozitare, të cilat pretendonin se procesi i regjistrimit të kandidatëve në Tiranë kishte shkelur parimin e barazisë në garë dhe afatet ligjore të Komisionit.
Burime nga KQZ bëjnë me dije se institucioni ka nisur menjëherë procedurat për organizimin e votimeve në bashkitë ku zgjedhjet janë konfirmuar, ndërsa për Tiranën pritet një vendimmarrje e re në javët në vijim, pas interpretimit të plotë të arsyetimit të Kushtetueses.
Kjo është hera e parë që pas vitit 2019, që një garë për kryeqytetin anulohet nga gjykatat, duke hapur një precedent të ri ligjor në proceset zgjedhore lokale.