
Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, i cili në zgjedhjet e 11 majit ishte në listën e mbyllur të Tiranës, ka bërë një deklaratë që shihet si sinjal i parë i lëvizjeve të reja brenda partisë. Në një intervistë për emisionin Dekalog në Dritare Tv, Xhaferri ka kujtuar se mandati i kryetarit të PD-së, Sali Berisha, përfundon në prill të vitit 2026 dhe se në atë periudhë duhet të zhvillohen zgjedhje të reja brenda partisë.“Sipas statutit, mandati i zotit Berisha mbaron në prill të 2026. Edhe në prill të 2026 duhet të ketë zgjedhje brenda në PD. Nëse Berisha nuk i ka ripërsëritur zgjedhjet, duhet të largohet,” deklaroi deputeti demokrat. Ai shtoi se nëse Berisha nuk e mban premtimin për të përsëritur zgjedhjet e 11 Majit, për të cilat opozita pretendon se janë manipuluar nga Partia Socialiste, atëherë është e drejtë që ai të largohet nga drejtimi i partisë.Megjithatë, Xhaferri theksoi se do të vijojë të qëndrojë në PD dhe të kontribuojë brenda saj, pa u përfshirë në përplasje të brendshme. “Nëse nuk ikën Berisha, unë do të vazhdoj misionin brenda PD, por nuk do të bëj luftë brenda partisë. Kjo, pasi përballja brenda partisë ka një lloj hierarkie, nuk është radha ime,” u shpreh ai.