
Mark Rutte i quan të jorealiste idetë për një ushtri europiane të pavarur dhe thekson se siguria e kontinentit mbetet e lidhur pazgjidhshmërisht me NATO-n dhe ombrellën amerikane
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka dhënë një paralajmërim të fortë për vendet europiane, duke deklaruar se çdo ide për mbrojtjen e kontinentit pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara është thjesht një iluzion. Në një fjalim dhe sesion pyetje-përgjigje përpara dy komisioneve të Bashkimit Europian në Bruksel, Rutte hodhi poshtë hapur diskutimet për krijimin e një ushtrie europiane të pavarur nga SHBA.
“Nëse dikush mendon se Bashkimi Europian, apo Evropa në tërësi, mund të mbrohet pa SHBA-në, le të vazhdojë të ëndërrojë. Nuk mundet,” u shpreh Rutte. Sipas tij, aleanca transatlantike është e pazëvendësueshme, jo vetëm sepse Evropa ka nevojë për SHBA-në, por edhe sepse vetë Amerika ka nevojë për NATO-n.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur në disa qarqe europiane po shtohen zërat për rritjen e autonomisë strategjike të BE-së, sidomos në fushën e mbrojtjes. Megjithatë, Rutte theksoi se Evropa nuk ka as kapacitetet ushtarake, as bazën industriale për të garantuar sigurinë e saj pa ndihmën amerikane.
Ai paralajmëroi se edhe objektivi aktual i NATO-s për shpenzime mbrojtjeje në nivelin 5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035 nuk do të ishte i mjaftueshëm nëse Evropa do të përpiqej të shkëputej nga SHBA. “Nuk do të mjaftonte as 5 %. Do të duhej 10%,” tha Rutte, duke shtuar se ndërtimi i një kapaciteti bërthamor europian do të kushtonte miliarda euro dhe do ta linte kontinentin pa garancinë kryesore të lirisë: ombrellën bërthamore amerikane.
Në të njëjtën kohë, kreu i NATO-s foli edhe për sigurinë në Arktik, duke u shprehur se shqetësimet e ngritura nga Donald Tramp për këtë rajon janë të drejta. Rutte theksoi se NATO duhet të bëjë më shumë për të parandaluar depërtimin ushtarak apo ekonomik të Rusisë dhe Kinës në Arktik, jo vetëm në Groenlandë, por në të gjithë rajonin strategjik.
Rutte pranoi se qëndrimet e tij shpesh nuk priten mirë nga disa politikanë europianë, por insistoi se pa presionin e ushtruar nga administrata Trump në të kaluarën, shumë vende të NATO-s nuk do të kishin arritur as objektivin minimal prej 2 % të shpenzimeve për mbrojtjen.
Sa i përket luftës në Ukrainë, ai u bëri thirrje vendeve europiane të shkojnë përtej deklaratave politike dhe të kontribuojnë realisht, duke përdorur edhe rezervat e tyre ushtarake për të ndihmuar Kievin. Rutte paralajmëroi se infrastruktura civile ukrainase po goditet rëndë dhe se mungesa e raketave mbrojtëse po e bën gjithnjë e më të vështirë përballimin e sulmeve ruse.
Mesazhi i tij ishte i drejtpërdrejtë: siguria e Evropës nuk është çështje retorike apo ambiciesh politike, por realitet kapacitetesh dhe aleancash. Dhe sipas Rutte, pa SHBA-në dhe NATO-n, Evropa mbetet e pambrojtur.
