
Vasyl Maliuk largohet nga drejtimi i SBU, por do të vijojë operacionet kundër Rusisë brenda strukturës së shërbimit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se Vasyl Maliuk do të largohet nga posti i kreut të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, duke vijuar megjithatë aktivitetin e tij brenda agjencisë në operacione asimetrike kundër Rusisë.
Sipas Zelenskyt, vendimi është marrë pas diskutimeve të brendshme, ndërsa Maliuk do të përqendrohet në fushën ku, sipas presidentit, ka rezultuar më efektiv. Paralelisht, janë shqyrtuar edhe kandidatët për drejtimin e ri të Shërbimit të Sigurisë.
Dorëheqja e Maliuk vjen pas disa ditësh spekulimesh dhe në një klimë tensioni politik, të lidhur me zhvillimet e fundit rreth institucioneve antikorrupsion në Ukrainë. Media ukrainase raportojnë se largimi i tij ka ardhur pas presionit të drejtpërdrejtë nga zyra e presidentit.
Gjatë mandatit të tij, Maliuk është përballur me kritika për rolin e SBU-së në veprime ndaj Byrosë Kombëtare Antikorrupsion dhe Prokurorisë së Specializuar Antikorrupsion. Nën drejtimin e tij, disa punonjës të këtyre institucioneve u arrestuan me akuza për lidhje me Rusinë, veprime që u kundërshtuan nga shoqëria civile dhe aktivistë antikorrupsion, të cilët i cilësuan si ndërhyrje politike. Të arrestuarit u liruan më vonë.
Në kontrast me polemikat politike, Maliuk ka drejtuar disa nga operacionet më të rëndësishme të Ukrainës gjatë luftës. Nën komandën e tij, Shërbimi i Sigurisë realizoi aksione të thella brenda territorit rus dhe në zonat e pushtuara, përfshirë sulme ndaj bazave ajrore, objektivave detare dhe Urës së Krimesë.
Vendimi për largimin e tij ka nxitur reagime edhe brenda strukturave ushtarake. Disa komandantë të lartë kanë paralajmëruar se zëvendësimi i kreut të Shërbimit të Sigurisë në një moment aktiv lufte mund të dobësojë kapacitetet e mbrojtjes së vendit.
Dorëheqja e Maliuk duhet të miratohet nga parlamenti ukrainas, ku shumicën e mandateve e mban partia e presidentit. Mediat vendase raportojnë se një nga kandidatët kryesorë për ta zëvendësuar është Yevhenii Khmara, drejtues i njësisë speciale Alpha.
Ky zhvillim vjen pak kohë pasi Zelensky emëroi edhe kreun e inteligjencës ushtarake, Kyrylo Budanov, në krye të Zyrës së Presidentit, duke shënuar një seri ndryshimesh të rëndësishme në strukturat e sigurisë së Ukrainës.
