
Premtime pune me 3000 euro për bashkëkombëset, apartamenti në lagjen nr. 18 shndërrohet në bazë prostitucioni dhe shpërndarjeje droge
Policia ka vënë në pranga një 28-vjeçar me origjinë nga Kolumbia, i dyshuar si organizator i një skeme rekrutimi dhe shfrytëzimi të grave për prostitucion në Durrës. Hetimet trejavore të strukturave të Policisë së Durrësit zbuluan se i riu u premtonte bashkëkombëseve të tij punë të paguara në Shqipëri kundrejt 3000 eurove dhe më pas i detyronte të ushtronin prostitucion.
Operacioni “Storm 9” identifikoi dhe sekuestroi bazën e aktivitetit në një apartament me qira në lagjen nr. 18, ku u gjetën dy shtetase kolumbiane. Gjatë kontrollit, hetuesit konstatuan edhe përdorimin e tyre për shpërndarje të lëndëve narkotike.
I dyshuari u ndalua në pikën kufitare të Muriqanit, në përpjekje për t’u larguar nga vendi. Ai akuzohet për trafikim të personave të rritur dhe shfrytëzim prostitucioni. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve dhe rrugëve të financimit të rrjetit.