

Kriza e tanishme pritet të testojë gatishmërinë e Trump dhe Kongresit për kompromis, ndërkohë që orët e fundit po afrojnë me shpejtësi.
Shtetet e Bashkuara rrezikojnë një mbyllje të pjesshme të qeverisë nga mesnata e së mërkurës, nëse Republikanët dhe Demokratët nuk arrijnë një marrëveshje për buxhetin. Presidenti Donald Trump pritet të takohet sot me liderët e të dyja partive në Kongres, në një përpjekje për të shmangur krizën.
Bisedimet vijnë pasi Senati, i kontrolluar nga republikanët, dështoi të miratonte një projektligj të përkohshëm për financimin e qeverisë, i cili u kundërshtua nga demokratët. Ata kërkojnë që çdo marrëveshje të përfshijë zgjerimin e mbulimit shëndetësor dhe rikthimin e fondeve të shkurtuara nga Medicaid, pjesë e ligjit “One Big Beautiful Bill Act” të propozuar nga Trump. Republikanët insistojnë se çështjet e shëndetësisë duhet të trajtohen veçmas, në një paketë më të gjerë buxhetore.
Në prag të afatit, të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për bllokimin. Lideri i shumicës republikane në Senat, John Thune, tha se topi është në fushën e demokratëve, ndërsa lideri i pakicës, Chuck Schumer, paralajmëroi se nëse takimi me Trump do të kthehet në një shfryrje mllefi, nuk do të ketë zgjidhje.
Nëse nuk arrihet kompromis, qindra mijëra punonjës federalë do të dërgohen në shtëpi pa pagesë, ndërsa shërbimet bazë do të mbeten të kufizuara. Sipas Qendrës Bipartizane të Politikave, SHBA ka kaluar 14 herë mbyllje qeveritare që prej vitit 1980, me më të gjatën atë të viteve 2018–2019, që zgjati 34 ditë.