
Kërcënimet me tarifa nga Donald Tramp për blerjen e Groenlandës ndezin tensionet mes SHBA, Britanisë dhe BE
Kryeministri britanik Keir Starmer pritet të mbajë sot një konferencë urgjente për shtyp në Downing Street, në lidhje me përshkallëzimin e krizës për Groenlandën dhe kërcënimet ekonomike të presidentit amerikan Donald Tramp ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve europianë.
Tramp ka paralajmëruar vendosjen e tarifave 10% ndaj mallrave britanike që nga 1 shkurti, me rritje deri në 25 % nga qershori, nëse Londra dhe vendet e tjera evropiane nuk mbështesin planin e Uashingtonit për të marrë kontrollin e Groenlandës, territor gjysmë-autonom nën administrimin e Danimarka.
Në një deklaratë të përbashkët, Britania, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Holanda dhe Finlanda paralajmëruan se kërcënimet me tarifa minojnë marrëdhëniet transatlantike. Ndërkohë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen u shpreh prerë se Evropa nuk do të shantazhohet.
Situata ka shkaktuar reagime të forta edhe në skenën politike britanike. Liberal Demokratët i kanë bërë thirrje qeverisë të reagojë ashpër ndaj Tramp, duke kërkuar masa hakmarrëse ekonomike në bashkëpunim me BE-në. Ata e kanë cilësuar presionin amerikan si shantazh ekonomik dhe kërcënim ndaj sovranitetit të një aleati të NATO-s.
Nga ana tjetër, Bashkimi Europian po shqyrton vendosjen e tarifave deri në 93 miliardë euro ndaj SHBA-së, në atë që cilësohet si përshkallëzimi më i madh i tensioneve tregtare transatlantike në dekada.
Kriza e Groenlandës po shndërrohet kështu në një përplasje të hapur politike dhe ekonomike mes SHBA-së dhe aleatëve të saj tradicionalë, ndërsa konferenca e sotme e Starmer pritet të japë sinjale të qarta për qëndrimin që do të mbajë Londra përballë presionit amerikan.
