
Infeksioni i transmetuar nga mushkonjat përhapet në një vend të goditur nga varfëria, mungesa e ujit dhe energjisë; raportimet thonë se numri real i viktimave mund të jetë shumë më i lartë
Kuba po përjeton një krizë të rëndë shëndetësore teksa epidemia e chikungunyas dhe vatrat paralelisht aktive të dengës po përhapen me shpejtësi në vend. Autoritetet njoftuan se që nga korriku janë regjistruar 44 viktima, mes tyre 29 fëmijë, por media lokale paralajmëron se bilanci real mund të jetë dukshëm më tragjik për shkak të mungesës së testimeve masive dhe raportimeve të kufizuara.
Gazeta kubane 14ymedio shkruan se numri i të vdekurve po rritet çdo javë, pavarësisht deklarimeve zyrtare se situata është nën kontroll. Diario de Cuba raporton se spitalet dhe morgët janë të mbingarkuara, ndërsa dëshmi nga qytetarët përmendin vdekje të pashpjeguara të fëmijëve dhe të moshuarve.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë pesë muajve të fundit janë konfirmuar mbi 42 mijë raste të chikungunyas. Mirëpo, në një vend që vuan mungesë ilaçesh, ujë të pijshëm dhe energji elektrike, me spitale në gjendje të degraduar dhe eksod të mjekëve, diagnoza e saktë shpesh mungon, ndërsa shumë pacientë nuk e dinë çfarë i ka infektuar në të vërtetë.
Media ndërkombëtare e përshkruan Kubën si një vend të dorëzuar mes krizës ekonomike dhe shëndetësore, ku qytetarët kërkojnë kujdes mjekësor mes radhëve të gjata dhe mungesës së vaksinave. Ekspertët paralajmërojnë se pa ndërhyrje urgjente dhe kontroll të vatrave të mushkonjave, situata mund të përkeqësohet edhe më tej në muajt e ardhshëm.
