
Akuzohet për shkelje të barazisë në tendera në kohën kur drejtonte KESH-in, bashkë me shtatë persona të tjerë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë zyrtarisht nën hetim kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci. Ky i fundit është thirrur këtë të premte në SPAK, ku i është komunikuar mbyllja e hetimeve dhe statusi i të pandehurit.
Sipas njoftimit, Benet Beci akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike, në lidhje me procedurën e tenderit Zhvillimi strategjik i sektorit energjitik, një projekt kërkimor me fond prej 700 mijë eurosh, i zhvilluar në vitin 2019.
Hetimi lidhet me periudhën kur Beci mbante detyrën e titullarit të KESH-it, Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare. SPAK bën me dije se ai është hetuar në gjendje të lirë dhe dyshohet se ka kryer veprën penale gjatë ushtrimit të kësaj detyre.
Në të njëjtën dosje janë marrë të pandehur edhe shtatë persona të tjerë. Mes tyre është edhe Adela Ruko, bashkëshortja e ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, e cila është paraqitur në SPAK dhe ka firmosur mbi mbylljen e hetimeve javën e kaluar.
Të pandehur në këtë çështje janë gjithashtu Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni dhe Premtim Dauti.
Dosja pritet të kalojë në fazën e gjykimit, ndërsa hetimet e SPAK kanë zbardhur, sipas organit të akuzës, elementë të shkeljes së ligjit në procedurat e ndjekura për tenderin në fjalë.
