Ish-kryetarja e LSI-së reagon pas shtyrjes së seancës në GJKKO, duke e cilësuar procesin ndaj saj dhe Ilir Metës si politik dhe të motivuar nga inate personale
Monika Kryemadhi ka reaguar ashpër pas shtyrjes së seancës paraprake në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku pritej të shqyrtoheshin akuzat ndaj saj dhe ish-bashkëshortit, Ilir Meta. Seanca u shty për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të Kryemadhit, ndërsa SPAK ka paraqitur prova të reja në dosje.
Në një prononcim për gazetarët pas seancës, Kryemadhi deklaroi se shtyrja nuk ka motive ligjore, por është pjesë e një skenari politik për të mbajtur Metën në burg dhe për të ushtruar presion ndaj saj dhe familjes.
“Kjo tregon se hetimi nuk ka përfunduar ende, pra ne ndodhemi ende në fazë paraprake. Ky veprim bëhet qëllimisht për të mbajtur Ilir Metën në burg dhe për të na mbajtur nën presion. Është një hakmarrje personale që, nëse nuk e di saktësisht nga kush vjen, e di mirë se kush e zbaton. Janë ushtarë të bindur të Yuri Kimit,” u shpreh Kryemadhi.
Ajo shtoi se procesi ndaj tyre është i motivuar politikisht dhe ka për qëllim eliminimin e opozitës së vërtetë në vend.
SPAK, ndërkohë, ka deklaruar se gjatë hetimeve janë zbuluar elementë të rinj që lidhen me skema korrupsioni dhe pastrimi parash. Përveç Metës dhe Kryemadhit, në gjykim janë dërguar edhe tre persona të tjerë të përfshirë në të njëjtën dosje.
Kujtojmë se më 29 gusht, Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim çiftin Meta-Kryemadhi me akuzat për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Meta ndodhet prej më shumë se një viti në qeli, ndërsa avokati i tij, Kujtim Cakrani, ka deklaruar se afatet ligjore për qëndrimin në paraburgim janë ezauruar dhe masa e arrestit është e pajustifikuar.
