
Kryeministri britanik distancohet nga operacioni ushtarak amerikan, por e cilëson fundin e regjimit si të pashmangshëm
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka reaguar zyrtarisht pas kapjes së ish-presidentit venezuelian Nicolás Maduro nga forcat amerikane, duke deklaruar se Londra nuk ndjen keqardhje për fundin e një regjimi që e ka konsideruar prej kohësh të paligjshëm.
Në një deklaratë formale, Starmer theksoi se Mbretëria e Bashkuar nuk ka pasur asnjë rol në operacionin ushtarak të zhvilluar nga Shtetet e Bashkuara, duke u distancuar qartë nga veprimet e njëanshme të administratës së Donald Tramp. Megjithatë, ai nënvizoi se Londra ka mbështetur prej vitesh një tranzicion pushteti në Venezuelë.
Sipas Starmer, qeveria britanike e ka konsideruar Maduron një president të paligjshëm dhe nuk derdh lot për përfundimin e regjimit të tij. Ai shtoi se prioriteti tani duhet të jetë një tranzicion i sigurt dhe paqësor drejt një qeverie legjitime që pasqyron vullnetin e popullit venezuelian.
Deklarata e kryeministrit britanik është përshkruar nga analistët si një ekuilibër delikat mes mbështetjes politike për rrëzimin e një regjimi autoritar dhe respektimit të parimeve të së drejtës ndërkombëtare. Në një reagim të mëhershëm për BBC, Starmer, me formim si avokat i të drejtave të njeriut, theksoi rëndësinë e ligjit ndërkombëtar, por shmangu një vlerësim të drejtpërdrejtë nëse veprimet e SHBA-së e kanë shkelur atë.
Ndërkohë, sipas raportimeve të Reuters, reagimet në politikën britanike kanë qenë të ndara. Liberal Demokratët dhe Partia e Gjelbër kanë kritikuar ashpër Donald Trump-in dhe kanë shprehur pakënaqësi edhe për qëndrimin e kujdesshëm të Starmer-it. Në anën tjetër, Partia Konservatore ka përshëndetur largimin e Maduro-s, duke e cilësuar atë një lider të paligjshëm.
Qeveria britanike ka bërë të ditur se do të vijojë konsultimet me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë për të ndjekur nga afër zhvillimet dhe për të kontribuar në një tranzicion paqësor dhe të koordinuar diplomatikisht në Venezuelë.
