
Teksa opozita paralajmëron protesta të përjavshme, nis vendosja e barrierave dhe blindimi i hyrjes së godinës qeveritare.
Pak ditë para protestës së thirrur nga Partia Demokratike, para Kryeministrisë kanë nisur masat e forta të sigurisë. Pamjet e para tregojnë ekipet teknike teksa vendosin barriera metalike dhe struktura mbrojtëse në hyrjen kryesore të godinës qeveritare, duke përgatitur perimetrin për tubimin e së hënës.
Kryedemokrati Sali Berisha ka paralajmëruar se protesta e së hënës do të shënojë nisjen e një aksioni të ri të opozitës, me tubime të përjavshme para Kryeministrisë. Sipas tij, këto protesta synojnë të rrisin presionin politik ndaj qeverisë dhe të denoncojnë atë që ai e cilëson si keqqeverisje dhe autoritarizëm.
Ndërkohë, autoritetet duket se po përgatiten për një pjesëmarrje të madhe dhe për çdo skenar të mundshëm, duke ngritur barriera mbrojtëse të ngjashme me ato të përdorura në protestat e mëdha të viteve të fundit. Blindimi i hyrjes së Kryeministrisë shihet si një sinjal se institucionet janë duke marrë seriozisht njoftimet e opozitës për intensifikimin e aksionit në terren.
Të hënën pritet që qindra qytetarë, simpatizantë të PD dhe grupe të ndryshme të shoqërisë civile të mblidhen para godinës qeveritare, duke shënuar fillimin e një cikli protestash që PD thotë se do të vazhdojë deri në “ndryshimin e situatës politike në vend”.
