U kap duke vjedhur arkën e kishës, arrestohet në flagrancë autori i dyshuar edhe për 3 plaçkitje të tjera në zonë.
Policia e Sarandës bëri sot me dije se pas ankesave dhe denoncimeve në zonë, bëri dokumentimin e katër prej rasteve të bastisjeve.
I arrestuari është Pajtim Allkushi, 56 vjeç, banues në fshatin Gjashtë. Ai u kap nga shërbimet duke vjedhur arkën e kishës së fshatit Kulluricë, në Finiq.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas është edhe autor i tre vjedhjeve të ndodhura më herët: Më datë 08.12.2025, në fshatin Gjashtë, Sarandë, dyshohet se ka vjedhur nga mjeti i një shtetasi 60 000 lekë, një parfum dhe një byzylyk floriri. Më datë 03.12.2025, në banesën e një shtetasi në fshatin Çukë, Sarandë, dyshohet se ka vjedhur disa pajisje elektroshtëpiake dhe më datë 28.09.2025, në fshatin Krane, Finiq, dyshohet se ka vjedhur 5 koshere me bletë”, bëri me dije policia vendore.
Aktualisht po vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera të kryera nga 56-vjeçari. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprën penale “vjedhja”.
