Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, ngriti shqetësimin për mungesën e inxhinierëve bio-mjekësorë dhe problemet në menaxhimin e koncesioneve, duke theksuar se kjo situatë po rrit varësinë nga kompanitë e huaja dhe koston e shërbimeve për qytetarët shqiptarë.
Në raportimin e tij para Komisionit të Ekonomisë, Shehu theksoi se auditimet e KLSH kanë zbuluar një sërë parregullsish në sektorin e shëndetësisë dhe në kontratat koncesionare. Sipas tij, në disa raste janë kryer pagesa për shërbime që nuk janë ofruar në përputhje me kontratat, ndërsa mungesa e monitorimit ka lejuar abuzime me fondet publike.
“Kemi konstatuar se në disa raste janë bërë pagesa për shërbime të pakryera ose të kryera në vëllime më të ulëta nga sa ishte kontraktuar. Kjo situatë është më e theksuar në koncesionet e shëndetësisë, ku raportimet financiare kanë tejkaluar buxhetet e miratuara,” u shpreh Shehu.
Ai vuri theksin tek mungesa e inxhinierëve bio-mjekësorë në spitalet kryesore si QSUT dhe Spitali i Traumës, çka sipas tij ka krijuar varësi të plotë nga shërbimet e jashtme teknike, duke shtuar kostot për sistemin publik. “Mungesa e inxhinierëve ka sjellë jo vetëm kosto shtesë, por edhe pasiguri në menaxhimin e pajisjeve. Institucionet publike shëndetësore varen nga mirëmbajtja private, ndërsa pajisjet shpërndahen pa analizuar nevojat reale të popullsisë,” theksoi ai.
Shehu ngriti gjithashtu alarmin për mungesat në kujdesin ndaj pacientëve me probleme të shëndetit mendor, duke deklaruar se spitalet psikiatrike përballen me mungesë kapacitetesh dhe personeli të kualifikuar.
Ai kërkoi një reformë të thellë në administrimin e koncesioneve dhe menaxhimin teknik të shërbimeve publike, duke paralajmëruar se “varësia nga ekspertiza e huaj dhe mungesa e kontrollit institucional po e kthejnë shtetin në konsumator pasiv të gabimeve që paguhen me paratë e qytetarëve.”
