
Kriza humanitare thellohet mes dhunës në Mianmar, varfërisë në kampet e Bangladeshit dhe mungesës së veprimit ndërkombëtar
Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesit e komunitetit Rohingya ngritën zërin kundër harresës ndërkombëtare, duke paralajmëruar se populli i tyre po mbetet pa zgjidhje edhe pas tetë vitesh gjenocid.
Aktivisti Maung Sawyeddollah i kujtoi botës imazhet e dhunës së fundit në shtetin Rakhine, duke akuzuar grupin e armatosur Arakan Army për masakra sistematike. Ndërsa Wai Wai Nu, drejtore e “Women’s Peace Network”, kërkoi embargo armësh ndaj Mianmarit dhe hapa urgjentë për të rikthyer ndihmën humanitare të bllokuar.
Në krahun tjetër, Bangladeshi paralajmëroi se nuk mund të përballojë më barrën e mbi një milion refugjatëve. “Jemi viktima të krizës dhe nuk mund ta mbajmë të pashoqëruar,” -u shpreh drejtuesi i përkohshëm, Muhammad Yunus, duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare dhe proces të sigurt kthimi.
SHBA dhe Britania e Madhe shpallën fonde të reja ndihme, por shumë shtete të tjera u kufizuan në fjalë, pa angazhim konkret. Ndërkohë, në janar 2026, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet të shqyrtojë çështjen e ngritur nga Gambia kundër Mianmarit për gjenocid, një test vendimtar për drejtësinë e vonuar të Rohingya-ve.