
Nga 1 janari 2026 pagesat cash nuk mund të kalojnë 500 mijë lekë për individët dhe 1000 euro për bizneset, çdo transaksion mbi këtë vlerë duhet të kryhet përmes bankës
Që prej 1 janarit 2026, Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në një fazë të re të pagesave, duke vendosur për herë të parë kufizime të qarta për përdorimin e parasë fizike si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Ndryshimet vijnë në kuadër të ligjit të ri të Procedurave Tatimore dhe prekin drejtpërdrejt mënyrën e kryerjes së transaksioneve të përditshme.
Sipas rregullave të reja, qytetarët nuk lejohen të kryejnë pagesa me para në dorë mbi vlerën 500 mijë lekë në muaj. Çdo blerje apo shërbim që e tejkalon këtë kufi duhet të paguhet përmes sistemit bankar, duke përdorur karta, transferta ose forma të tjera elektronike. Kjo do të thotë se blerje si mobilje, pajisje elektroshtëpiake apo shërbime me vlerë të lartë nuk mund të kryhen më me cash.
Edhe për bizneset janë vendosur kufizime të reja. Nga 1 janari 2026, subjektet tregtare nuk mund të kryejnë pagesa me para fizike mbi 1000 euro. Ky kufizim është bërë pjesë e paketës fiskale të vitit 2026 dhe ka qenë prej vitesh një kërkesë e sektorit bankar.
Ligji parashikon gjithashtu që brenda muajit qershor 2026, strukturat akomoduese, sektori i transportit dhe institucionet publike të pajisen detyrimisht me forma alternative të pagesave elektronike, duke e bërë të pamundur refuzimin e kartave apo transfertave bankare.
Qeveria e justifikon këtë hap si një masë për të luftuar informalitetin dhe pastrimin e parave, me synimin për të ulur qarkullimin e parasë jashtë sistemit bankar. Në plan afatgjatë, objektivi zyrtar është që deri në vitin 2030 Shqipëria të shndërrohet në një ekonomi pa cash, ku pagesat të kryhen kryesisht në mënyrë elektronike.
Nga ana tjetër, shoqatat e bizneseve kanë shprehur shqetësime për zbatimin praktik të këtij tranzicioni, duke theksuar se një pjesë e subjekteve, veçanërisht ato të vogla, nuk janë ende të përgatitura për kalimin e menjëhershëm drejt një ekonomie plotësisht digjitale.
