
Objekti shpërthyes u diktua në një stol të Rrugës së Turizmit; forcat xheniere nga Tirana në terren për çaktivizi
Mëngjesi i sotëm në Kukës është shoqëruar me tension, pasi një granatë ofensive është zbuluar në një nga stolat e bulevardit të qytetit. Banorët që kalonin aty pranë kanë njoftuar menjëherë policinë, duke shkaktuar një alarm të përgjithshëm në zonë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, rreth orës 06:35 në Rrugën e Turizmit është konstatuar objekti shpërthyes, i cili dyshohet të jetë i gatshëm për përdorim. Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, forcat policore kanë rrethuar perimetrin dhe kanë ndaluar qarkullimin e qytetarëve për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.
Në vendngjarje janë nisur forcat xheniere nga Tirana, të cilat po punojnë për çaktivizimin dhe transportimin e sigurt të granatës. Paralelisht, grupi hetimor po analizon pamjet e kamerave të sigurisë dhe po merr dëshmitë e banorëve për të zbuluar si ka përfunduar objekti në qendër të qytetit.
Policia e Kukësit njofton se po vijon hetimet për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një rast të qëllimshëm apo për lënien aksidentale të granatës në hapësirën publike.