
Specialistja e imazhit trupor shpjegon pse obsesioni për dobësim po i bën njerëzit të ndihen keq me veten dhe pse ndalimi i dietave mund të jetë akt vetëdashurie
Një psikologe dhe specialiste e imazhit trupor ka ngritur alarmin për ndikimin e rëndë që kultura e dietave ka në shëndetin mendor, duke e cilësuar atë si thelbësisht të gabuar dhe dëmtuese. Rocio Rodriguez, e cila prej vitesh punon me persona që vuajnë nga çrregullimet e të ushqyerit dhe problemet me vetëvlerësimin, thotë se pasojat psikologjike të dietave janë diçka që ajo i sheh çdo ditë në praktikën e saj.
Sipas saj, shumë njerëz, veçanërisht gratë, rriten duke besuar se trupi i tyre është problemi. Ky bindje, shpjegon Rodriguez, vjen nga idealet e bukurisë që dominojnë shoqërinë, ideale të ndërtuara rreth dobësisë dhe një modeli trupor tepër të ngushtë, ku shumica nuk përshtaten. Kur një person nuk arrin të futet në këtë kornizë, nis të mendojë se ka diçka gabim me veten dhe se trupi duhet ndryshuar me çdo kusht, shpesh duke sakrifikuar shëndetin, financat dhe mirëqenien e përgjithshme.
Psikologia thekson se është jashtëzakonisht e vështirë për njerëzit të kuptojnë se pesha apo forma e trupit nuk janë problemi real. Kjo ndodh sepse ata bombardohen vazhdimisht me mesazhe të kundërta, nga reklamat deri te rrjetet sociale, ku promovohen transformime para dhe pas, dieta të shpejta apo metoda ekstreme për humbje peshe.
Në këtë realitet, dëshira për të dobësuar jo vetëm që normalizohet, por shpesh edhe lavdërohet shoqërisht, pa u menduar për pasojat. Rodriguez paralajmëron se në shumë raste, nevoja e fortë për të ndryshuar trupin mund të jetë shenjë e një problemi më të thellë emocional, madje edhe sinjal paralajmërues për çrregullime të të ushqyerit.
Ajo përcjell një mesazh të drejtpërdrejtë për ata që janë vazhdimisht në dieta sepse ndihen keq me trupin e tyre. Problemi nuk është mungesa e vullnetit, por vetë dietat. Nëse ato do të funksiononin vërtet, njerëzit nuk do të ndiheshin të detyruar të fillonin një dietë të re çdo vit. Të jetosh vazhdimisht në regjim dietash, sipas saj, është si të jesh i mbyllur në një burg të padukshëm që të vjedh energjinë, gëzimin dhe ndjenjën e lirisë.
Në fund, Rodriguez nënvizon se ndonjëherë, akti më i madh i vetëdashurisë është pikërisht të ndalosh së mbajturi dietë dhe të ndërtosh një marrëdhënie më të shëndetshme me ushqimin dhe trupin tënd.
