
Zgjerimi historik i FIFA-s shihet si veprim strategjik për vota, mes frikës se spektakli mund të bjerë dhe turneu të humbasë prestigjin
Zvicra reagon me dyshim ndaj formatit të ri të Kupës së Botës 2026. Me 48 skuadra të ndara në 12 grupe, gazetarë dhe analistë në vend shprehen se futbolli po rrezikon të banalizohet, duke u kthyer në një produkt masiv me më shumë interes politik sesa sportiv. Kjo vjen pas hedhjes së shortit më 5 dhjetor në Uashington, ceremoni ku Donald Tramp mori vëmendjen kryesore krah presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Sipas editorialit të gazetës 24 Heures, zgjerimi i turneut po paraqitet si hap humanist që u jep mundësi kombeve më të vogla të ëndërrojnë, por në të vërtetë mund të jetë mënyrë për të fituar mbështetje politike në futbollin botëror. Në FIFA, vota e një vendi të vogël si Kap-Verti vlen njësoj sa ajo e Anglisë, një barazi që mund të shfrytëzohet për qëllime elektorale.
Nga 16 skuadra në 1934, në 48 në 2026, deri ku do të shkojë gjiganti FIFA?
Turneu ka kaluar disa faza zgjerimi:
-
16 ekipe (1934–1978)
-
24 ekipe (1978–1994)
-
32 ekipe (1998–2022)
-
48 ekipe nga viti 2026
Ndërsa zgjerimi u ka hapur dyert vendeve të reja, rastet e Haitit dhe Curaçaos janë përmendur si histori sportive të bukura, rreziku që ndeshjet të humbin cilësinë është real. Diferencat e mëdha mes ekipeve mund të sjellin përballje të dobëta, madje edhe rezultate poshtëruese.
Futbolli në prag të humbjes së magjisë?
Analiza paralajmëron se, nëse trendi vazhdon, Botërori mund të zgjatet në tre muaj e të arrijë deri në 96 skuadra, një skenar që mund të lodhë publikun dhe të zhbëjë ekskluzivitetin që i dha Kupës së Botës statusin e ngjarjes sportive më të madhe në planet.
Në sfond, mbeten dy pyetje të mëdha:
Po bëhet futbolli më i drejtë dhe gjithëpërfshirës, apo më i dobët dhe i shitur?
FIFA po mendon për sportin apo për votat dhe pushtetin global?
Megjithatë, dashuria për futbollin është ende e fortë, por vigjilenca është e domosdoshme.
