
Ndërsa opinioni publik përqendrohet te rimbursime simbolike për pasaporta dhe qira deputetësh, në sfond vijojnë hetime dhe afera shumë më të rënda që kërkojnë vëmendje maksimale institucionale dhe mediatike
Debati publik është përfshirë ditët e fundit nga lajme mbi rimbursime prej 75 eurosh për pasaporta diplomatike dhe pagesa mujore qiraje që variojnë nga 200 deri në 350 euro për deputetë të Kuvendit. Janë renditur emra konkretë, janë detajuar shuma dhe është tentuar që indinjata qytetare të orientohet drejt këtyre përfitimeve, të cilat, sado të debatueshme në aspektin etik, mbeten financiarisht dytësore në raport me problematikat reale që rëndojnë mbi buxhetin e shtetit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Për pasaporta diplomatike dhe qira apartamentesh janë rimbursuar nga fondet e Kuvendit deputetë nga të dy krahët politikë dhe ky fakt po tentohet të përdoret lehtësisht për të ndezur polemika të shpejta, të thjeshta dhe emocionalisht të ngarkuara.
Pyetja thelbësore nuk është nëse këto shpenzime duhen apo jo rishikuar. Çdo qindarkë publike duhet të auditohet dhe, nëse është përfituar padrejtësisht, të hetohet pa asnjë tolerancë. Pyetja reale është tjetër: a mos vallë ky fokus i stërzmadhuar mbi shuma simbolike shërben si një strategji e vjetër për të shpërndarë vëmendjen nga çështje shumë më të rënda që po zhvillohen paralelisht?!
Në të njëjtën hapësirë kohore, opinioni publik përballet me dosje që lidhen me abuzime shumë milionëshe, hetime për tendera publikë, databaza shtetërore, interesa kriminale dhe lidhje të errëta pushteti. Emra si Belinda Balluku, Ergys Agasi, Mirlinda Karcanaj apo rrjete të tjera të dyshuara për afera të mëdha ekonomike janë pjesë e një debati shumë më thelbësor për kapjen e institucioneve dhe dëmtimin e interesit publik.
Nuk bëhet fjalë për të minimizuar shkeljet e vogla, por për të refuzuar që ato të shërbejnë si mekanizëm shpërqendrimi. Historia politike shqiptare e ka treguar shpesh këtë mekanizëm: një skandal i ri, i menaxhueshëm në nivel emocional, shpërthen pikërisht kur dosje të rënda afrohen drejt pikave kritike. Zhurma rritet, fokusi zhvendoset dhe thelbi rrezikon të humbasë.
Në një shtet që pretendon të funksionojë mbi parimin e përgjegjshmërisë, vëmendja publike dhe mediatike duhet të jetë proporcionale me peshën e çështjeve. Kuponët 75 euro dhe qiratë 290 apo 350 euro mund të jenë temë diskutimi, por kurrë zëvendësim i debatit për aferat që kushtojnë miliona, për besimin publik të cenuar dhe për drejtësinë që duhet të veprojë pa mjegull informuese dhe pa devijime të qëllimshme të vëmendjes.
Shkruar nga Borea Lisi
