
Me një paraqitje të fortë dhe gol vendimtar të Kristjan Asllanit, Kombëtarja arrin një nga objektivat më të rëndësishëm të dekadës – kualifikimin zyrtar në fazën “play off” drejt Botërorit 2026.
Shqipëria është vetëm një hap larg ëndrrës së madhe të Kupës së Botës, pasi mbrëmjen e sotme ka regjistruar një fitore tejet të rëndësishme në transfertë përballë Andorrës. Kuqezinjtë triumfuan minimalisht 0-1, por pikët e plota të marra në këtë duel u kombinuan në mënyrë perfekte me fitoren e Anglisë ndaj Serbisë në “Wembley”, duke i siguruar Kombëtares kualifikimin matematikor në “play off”.
Vendimtar për fatin e ndeshjes dhe të kualifikimit ishte mesfushori Kristjan Asllani, i cili në minutën e 68-të realizoi golin e vetëm të takimit. Aksioni erdhi pas një kundërsulmi model të udhëhequr nga Myrto Uzuni, i cili pasoi saktë në zonë, ku Asllani me qetësi dhe saktësi dërgoi topin në rrjetë.
Pesë minuta më vonë, Nedim Bajrami provoi me një goditje të fortë nga distanca, por topi u devijua pa dashje nga Rey Manaj dhe doli jashtë, duke i mohuar kuqezinjve golin e dytë.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola, pavarësisht disa tentativave të rrezikshme. Në minutën e 12-të, Manaj u kthye bukur në zonë dhe gjuajti, por mbrojtja vendase ndërhyri në kohë. Andorra reagoi me Rosas, por Ajeti e ndaloi saktë aksionin. Shqipëria pati disa mundësi me Hoxhën, Asllanin dhe Manajn, ndërsa rasti më i madh erdhi në minutën 45+1, kur goditja me kokë e Gjimshitit u përplas në traversë.
Fitorja e Anglisë 2-0 ndaj Serbisë i dha Shqipërisë avantazhin e nevojshëm për të siguruar vendin e dytë në grup me 14 pikë dhe për të vulosur kualifikimin në zonën “play off”. Golat e Saka dhe Eze në “Wembley” ishin “dhurata” që u duhej kuqezinjve për të mos e lënë gjithçka për ndeshjen e fundit.
Shqipëria do të luajë takimin e fundit të kualifikueseve më 16 nëntor në “Air Albania” përballë Anglisë, një sfidë që mund të kthehet në një mbrëmje festimesh për të gjithë tifozët kuqezi.
Kuqezinjtë tashmë kanë shkruar një kapitull të ri: çdo rezultat nga këtu e tutje është bonus, ndërsa ëndrra e Botërorit është më pranë se kurrë.
