Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, tha se projektbuxheti për vitin 2026 është i pakrahasueshëm me buxhetet e Partisë Demokratike gjatë kohës kur ajo ka qenë në pushtet, pasi ndryshojnë për nga përmasa, detajimi dhe shpërndarja meritokratike.
“Sa herë vjen seanca e diskutimit të buxhetit në Kuvend, të gjithë themi se është seanca më e rëndësishme në jetën e parlamentit. Ne nuk presim që ta duartrokisni buxhetin tonë, sepse në këtë seancë shfaqet qartë edhe dallimi politik midis dy kahjeve tona. Ky buxhet lidhet me vizionin qeverisës 2025-2030. Nuk jemi të gjithë ekonomistë apo financierë, jemi me profesione të ndryshme, por dimë t’i lexojmë shifrat e buxhetit.
U tha ‘buxheti i Partisë Demokratike’. Nuk krahasohet as ky buxhet dhe as buxhetet tona përgjatë 12 viteve, janë mbi 9 miliardë euro. Ky buxhet garanton mirëqenien e qytetarëve dhe konsolidon financat publike. Borxhi publik vjen në rënie. Buxheti është shpërndarë në mënyrë të tillë që garanton një zhvillim gjithëpërfshirës të ekonomisë,” tha Manja.
Më tej, Manja u kërkoi deputetëve të Partisë Demokratike që të mos ankohen për një buxhet që sipas tyre nuk shkon në përfitim të qytetarëve, ndërkohë që, siç u shpreh ai, paraqiten para shqiptarëve me veshje luksoze. “Kur shkoni te njerëzit për të nxjerrë foto në FB, mos shkoni me veshje 5000-6000 euro se është gjynah”,- tha Manja.
