
Diskutime për sigurinë, investimet dhe sundimin e ligjit; mesazhe të qarta ndaj Serbisë për Banjskën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim zyrtar në Washington D.C. me senatoren demokrate nga New Hampshire, Jeanne Shaheen, një zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës në Kongresin amerikan.
Në takim morën pjesë edhe zëvendësministrja e Jashtme Liza Gashi dhe ambasadori i Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli. Diskutimet u përqendruan në marrëdhëniet bilaterale Kosovë-ShBA, zhvillimet e fundit në vend, reformat në drejtësi dhe siguri, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe investimet amerikane.
Kurti vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe përmendi vendimin e Qeverisë për heqjen e tarifave doganore ndaj produkteve amerikane, si dhe vazhdimin e programit MCC (Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit) për Kosovën.
Senatorja Shaheen, e cila kishte vizituar Kosovën pas sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, përsëriti thirrjen për arrestimin e Millan Radoiçiq, i cili ndonëse pranoi publikisht fajësinë, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
Takimi u cilësua si një tjetër dëshmi e rolit të pazëvendësueshëm të ShBA-së në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës.