
Aleatja e ngushtë e Maduros merr drejtimin e vendit pas kapjes së tij dhe sinjalizon gatishmëri për të ndjekur linjën e Uashingtonit
Delcy Rodríguez është emri që po dominon skenën politike në Venezuelë pas kapjes së Nicolás Maduros nga forcat amerikane. Sipas administratës së presidentit Donald Tramp, ish-zëvendëspresidentja është betuar si presidente e re e vendit dhe ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara gjatë periudhës së tranzicionit.
Tramp deklaroi se SHBA do të “administrojë përkohësisht Venezuelën” derisa të realizohet një tranzicion i sigurt dhe i kontrolluar i pushtetit, duke theksuar se roli i Rodríguez është kyç në këtë fazë. Sipas tij, ajo ka zhvilluar biseda të drejtpërdrejta me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke garantuar bashkëpunim të plotë me Uashingtonin.
Delcy Rodríguez, 56 vjeçe, konsiderohet një nga figurat më të fuqishme dhe më besnike të regjimit të Maduro-s. Ajo ka mbajtur poste kyçe në qeveri, përfshirë ministren e Jashtme, ministren e Informacionit dhe ministren e Naftës, ndërsa vetë Maduro e ka përshkruar shpesh si një figurë luftarake dhe mbrojtëse të flaktë të qeverisjes socialiste.
Sipas Kushtetutës së Venezuelës, ajo ishte e radhës për të marrë drejtimin e shtetit në rast mungese ose paaftësie të presidentit. Megjithatë, autoritetet zyrtare në Karakas nuk kanë konfirmuar publikisht ceremoninë e betimit, ndërsa raporte mediatike kanë ngritur dyshime për vendndodhjen e saj në ditët e para pas operacionit amerikan.
Në reagimin e saj të parë publik pas sulmeve amerikane, Rodríguez ka kërkuar prova që vërtetojnë se Maduro dhe bashkëshortja e tij janë gjallë, duke e cilësuar operacionin amerikan si agresion të rëndë dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, nga Uashingtoni vijnë sinjale se bashkëpunimi me të do të vazhdojë, nëse ajo ndjek kushtet e vendosura nga SHBA.
Ndërkohë, opozita venezueliane mbetet e fragmentuar. Figura të njohura si María Corina Machado dhe Edmundo González shihen si alternativa politike për të ardhmen, por Tramp ka minimizuar mundësinë e një kalimi të menjëhershëm të pushtetit tek ta.
Delcy Rodríguez gjendet kështu në një pozicion të ndërlikuar, mes trashëgimisë së regjimit të Maduros dhe presionit të drejtpërdrejtë amerikan për ndryshim. Roli i saj në ditët dhe javët në vijim pritet të jetë vendimtar për fatin politik të Venezuelës dhe për raportet e saj me komunitetin ndërkombëtar.
