
I njohur më herët për mashtrime me SIM swapping, i riu rrezikon deri në 10 vite burg pas hetimeve të reja
Një i ri 22-vjeçar, i identifikuar si Melvin L., është vënë në qendër të vëmendjes së autoriteteve franceze pas akuzave serioze për përfshirje në piratimin e sistemeve të Ministria e Brendshme e Francës. Ai është vendosur në paraburgim dhe është vënë zyrtarisht nën hetim për hyrje dhe qëndrim të paligjshëm në sisteme shtetërore të të dhënave, si dhe për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar.
Sipas burimeve gjyqësore, Melvin L. nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai ka qenë më parë i përfshirë në raste të shumta mashtrimesh digjitale, veçanërisht në atë që njihet si SIM swapping, një metodë që konsiston në marrjen nën kontroll të numrave telefonikë për të vjedhur të dhëna, llogari bankare dhe identitete digjitale.
Prokuroria franceze e përshkruan rrezikun e përsëritjes së veprave penale si shumë të lartë, duke theksuar se të dyshuarit kanë krijuar përvojë të konsiderueshme në krimin kibernetik dhe kanë vepruar me bindjen se janë më të zgjuar se sistemi. Pikërisht kjo përvojë, sipas hetuesve, ka luajtur rol kyç edhe në sulmin ndaj infrastrukturës digjitale shtetërore.
Melvin L. konsiderohet një nga figurat kryesore të një grupi prej disa të rinjsh të akuzuar për vjedhje dhe zhvatje përmes metodave teknologjike. Në këtë çështje të re, ai përballet me akuza që parashikojnë deri në 10 vite burg, duke e kthyer rastin në një nga më seriozët e krimit kibernetik në Francë gjatë këtij viti.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin shkallën e dëmit të shkaktuar dhe nëse janë komprometuar të dhëna sensitive shtetërore. Rasti po shihet si një sinjal alarmi për sigurinë kibernetike të institucioneve publike dhe rrezikun që paraqesin grupet e organizuara të krimit digjital.
