Policia greke ende nuk ka dalë në deklaratë zyrtare për shtyp lidhur me një operacion të zhvilluar për arrestimin e 6 personave të akuzuar për tentativën e vrasjes së mafiozit grek Jani Lala, por detaje të reja janë zbuluar lidhur me arrestimet.
Në prangat e policisë greke ka rënë 45-vjecari nga Labova e Poshtme e Gjirokastrës, Dhimitër Meçi, i njohur shkurt si Dhimo.
Bëhet fjalë për një person të konsideruar në Greqi si vrasës me pagesë, i arrestuar disa herë për ngjarje të ndryshme dhe shpesh i liruar në rrethana të dyshimta.
Dhimitër Meçi është arrestuar pas një operacioni të së ashtuquajturës “FBI” greke, bashkë me 5 persona të tjerë, 3 shqiptarë e dy grekë, mes tyre një femër.
Ata akuzohen për ngjarjen e 16 majit 2025, kur nga një motor u hap zjarr ndaj automjetit tip “Mercedes-Benz” të blinduar të 41-vjeçarit Giannis Lalas.
Ndaj tij u qëllua rreth 40 herë, por makina e blinduar i shpëtoi. Ngjarja u shënua në Ano Liosia të Athinës, ku shënjestra u ndoq nga dy atentatorët.
Lala, një emër i njohur në qarqet mafioze greke, ishte arrestuar dhe më pas liruar për vrasjen e gazetarit grek Jorgo Karaivaz dhe boksierit Hari Kontogiorgi.
Madje, së fundmi konsiderohej si krahu i djathtë i kriminelit famëkeq ukrainas, “Etnik”, i cili jetoj në Dubai dhe konsiderohet përgjegjës për shumë ngjarje kriminale, përfshirë vrasje, në Greqi.
Në fakt Giannis Lalas, rezulton i vrarë vetëm një muaj më parë në Arahova të Greqisë, ngjarje e zbuluar tashmë nga policia greke.
Gjatë operacionit të sotëm, policia greke sekuestroi 4 Kallashnikovë, 3 pistoleta, dhjetëra fishekë dhe sasi kokaine.
Dhimo Meci rezulton i proceduar dhe dënuar disa herë në Greqi për vepra të ndryshme penale si vjedhje, grabitje, tentativë vrasje, vrasje e organizatë kriminale.
Ai u arrestua për herë të parë në vitin 2004 për vrasjen e një emigranti sirian jashtë një qendre prostitutash në qendër të Athinës.
I burgosur në burgun rural të Kasandrës, atij iu dha një leje 9 ditore gjatë së cilës u përfshi në grabitjen e një agjencie Pro-Po në Glifadha, duke vjedhur 65.000 euro.
Sipas tij, kjo me sa duket ndodhi sepse ish-shefi i agjencisë, i cili u vra disa muaj më parë, i kishte borxh para.
Ai u lirua me kusht disa muaj më vonë përpara se të arrestohej përsëri për shkelje të lirimit me kusht.
Ai u arrestua për disa krime gjatë karrierës së tij, duke përfshirë vjedhje, grabitje, shkaktim lëndimesh trupore, përdorim dhe posedim armësh dhe për shkelje të rregullave të trafikut rrugor.
Pas lirimit të tij në vitin 2011, ai punoi si ndihmës në një bandë të përfshirë në krime në Glifadha, Haidari, Kaminia dhe Koridhalos.
