
Lodewijk Willem Johan Karel Thomson lindi më 11 qershor 1869, në Voorschoten pranë Hagës, Holandë në një familje ushtarakësh dhe vdiq në Durrës, më 15 qershor 1914.
I ati ishte mjek i marinës ushtarake, e ëma ishte një Pompe van Meerdervoort, një familje e thjeshtë fisnike[1]. Shkollën fillore e kreu në Voorschoten, për t’u shpërngulur më pas në Rotterdam, ku përfundoi shkollën reale (Gjimnazin drejtimi i shkencave reale). Pasi mbaroi programin trevjeçar të shkollës pasuniversitare, ai u rregjistrua në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Breda më 1884, bashkë me të vëllanë. Pas një sërë gradash që mori, më 8 nëntor 1892 u gradua toger dhe fitoi titullin “Kryqi i Nderit”. U martua me datë 29 nëntor 1893 me Henrietta Lambertina Slotemaker. Nga martesa u lindën 2 vajza, njëra e cila vdiq në foshnjëri.
Qeveria e Holandës, më 1913, mori një kërkesë nga Fuqitë e Mëdha, Gjermania, Franca, Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia për të dërguar në Shqipëri oficerë, të cilët do të ndihmonin në organizimin e Xhandarmërisë së shtetit të ri. Koloneli V.I.H. de Veer dhe majori Thomson ishin dy të përzgjedhurit nga Mbretëria e Holandës për këtë mision. Këta dy oficerë do të punonin me Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit dhe do të ishin në urdhrat e Ministrisë së Luftës. Dy oficerët e lartë dhe 17 ushtarë të tjerë holandezë mbërritën në Shqipëri me një mision trevjeçar. Thomsoni, i graduar me titullin kolonel, arriti në Vlorë më 10 nëntor 1913.Në maj 1914 në Shqipëri nisën revoltat. Esat Pashë Toptani ishte Ministër i Punëve të Brendshme dhe i Luftës dhe qëllimisht e la jugun e Shqipërisë që të përkeqësohej. Esat Pasha favorizoi kryengritjen e Harif Hiqmetit, dhe në fshehtësi armatosi popullin e Tiranës për ta dërguar në jug. Më 18 maj 1914, marshimi i kryengritësve u zbulua ndërsa në Durrës u panë shenja të grushtit të shtetit. Esat Pasha, për të dobësuar krahun e qeverisë, kërkoi dorëheqjen e komandantit të rezistencës majorit Sluys, por kjo kërkesë e tij nuk u mor parasysh. Ai u shkarkua nga posti ministror. Nga ana tjetër, Thomsoni armatosi nacionalistët e Tiranës. Më 19 maj 1914, forcat komanduara nga koloneli Thomson rrethuan dhe goditën me artileri sarajet e Esat Pashë Toptanit. Esat Pasha u dorëzua dhe u dëbua në Itali pas betimit se nuk do të kthehej më në Shqipëri.
Ndërkohë kryengritja kishte marrë përmasa të mëdha dhe duhej një plan për izolimin e tyre. Pas bisedimeve me rebelët, qeveria vendosi ta shuajë kryengritjen me forcë. Plani u hartua nga kolonel Thomson, i cili u emërua dhe komandant i rezistencës. Sulmi do të ishte nga katër anët. Në Durrës ishin 1 mijë luftëtarë, në Ishëm 400 mirditorë, nën drejtimin e Preng Bibdodës, matjanët do të shkonin drejt Tiranës nga lindja dhe 800 xhandarë nga jugu mes Qafë Thanës e Qafë Kërrabës. Me këtë plan do shtypej kryengritja. Por në fakt ngjau ndryshe. Prenk Bibdoda nuk mori pjesë në këtë rrethim. Po kështu xhandarmëria u ndalua në Shkumbin prej Lalë Dervishit. Plani i Thomsonit u dekonspirua. Më 15 qershor 1914 300 bujq të organizuar nga oficerët e Esat Pashës rrethuan Durrësin. 400 u vendosën në Porto Romano, 800 të tjerë bllokuan Urën e Dajlanit dhe të tjerët u vendosën në rrugën që të çon për Kavajë. Thomson siguroi në fillim depot e municionit e për të dalë përtej urës, i duhej të vinte nën kontroll kodrat e Rrashbullit. Koloneli Thomson udhëhoqi personalisht sulmin kundër kryengritësve dhe u vra në përpjekje e sipër