SPAK ka publikuar detaje të reja mbi vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur më 10 gusht 2018 në Shkodër, duke zbardhur rolet e katër të pandehurve të përfshirë në këtë krim. Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme, organizatori i vrasjes është Behar Brajoviç, i cili dyshohet se e urdhëroi ekzekutimin si akt hakmarrjeje për vrasjen e Boran Bërcanas dhe bashkëshortes së tij, Silvi Ndoci, ngjarje e ndodhur një muaj më parë.
Brajoviç i atribuonte këtë vrasje Ibrahim Licit, nipit të viktimës Fatbardh Lici. Sakaq SPAK bën me dije më tej se se vrasja është kryer në bashkëpunim mes Behar Brajoviç, Safet Rustemit dhe Astmer Bilalit. Ky i fundit ka qenë ekzekutori i drejtpërdrejtë. Autorët kanë përdorur një automjet të vjedhur tip “Benz”, me të cilin janë afruar pranë lokalit ku viktima pinte çdo ditë kafen.
Pasi makina u ndal, Astmer Bilali zbriti nga dera e pasagjerit dhe qëlloi disa herë me armë zjarri, duke lënë të vdekur Fatbardh Licin.
Pas atentatit, autorët janë larguar drejt zonës së Dobraçit, ku më pas automjeti i vjedhur është djegur. Sipas hetimeve, Safet Rustemi ka qëndruar në Shkodër, ndërsa Astmer Bilali është larguar menjëherë në Tiranë së bashku me të dashurën e tij, Eria Ago, e cila dyshohet se i ka ndihmuar autorët pas kryerjes së krimit.
SPAK ka dërguar çështjen për gjykim në GJKKO, ndërsa të pandehurit përballen me akuza të rënda që lidhen me vrasje me paramendim, armëmbajtje pa leje dhe veprimtari të një grupi të strukturuar kriminal.
