
Gjykata Kushtetuese rrëzon vendimet politike dhe dekretin për zgjedhje, duke sqaruar se mungesa për arsye objektive dhe masa e paraburgimit nuk sjellin pasoja automatike mbi funksionin e zgjedhur vendor
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e plotë për çështjen e qëndrimit në detyrë të Erion Veliajt, duke konfirmuar se masa e paraburgimit dhe mungesa disa mujore nga detyra nuk përbëjnë arsye të mjaftueshme për ndërprerjen e mandatit të kryebashkiakut të Tiranës.
Sipas arsyetimit të gjykatës, neni 62 i Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore nuk ka fuqi autonome për të shkarkuar një të zgjedhur vendor. Ky nen interpretohet vetëm si konkretizim i nocionit kushtetues shkelje e rëndë dhe jo si bazë e pavarur për ndërprerjen e mandatit. Për rrjedhojë, mungesa tre mujore në punë për arsye objektive, përfshirë paraburgimin, nuk barazohet automatikisht me shkelje të rëndë.
Gjykata vlerëson se masa e sigurimit personal, si paraburgimi, nuk mund të prodhojë pasoja administrative apo politike pa një analizë individuale dhe proporcionale të rrethanave. Në këtë kontekst, Kushtetuesja thekson se nuk është respektuar procesi i rregullt ligjor, pasi palës së prekur nuk i është garantuar në mënyrë efektive e drejta për t’u njoftuar, për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.
Vendimi rrëzon gjithashtu dekretin e Presidentit Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve në Tiranë, duke sqaruar se ky veprim nuk mund të ndërmerret për sa kohë procesi kushtetues për shkarkimin është ende i hapur. Sipas Kushtetutës, në këto raste vepron pezullimi ipso jure i efekteve të shkarkimit.
Ngjarjet që çuan në këtë përplasje institucionale nisën në shtator, kur shkarkimi i Veliajt u shpall publikisht nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e PS, u pasua nga votimi në Këshillin Bashkiak dhe më pas nga shpallja e zgjedhjeve në kryeqytet. Të gjitha këto akte u rrëzuan përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendosi rikthimin e Veliajt në detyrë më 31 tetor.
Aktualisht, Erion Veliaj ndodhet në paraburgim prej shkurtit 2025 dhe përballet me akuza për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në disa episode, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Ai i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar të pabazuara në prova. Në të njëjtën dosje po gjykohet edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe disa biznesmenë të tjerë.
