
Përmes një rezolute të re, Parlamenti kërkon masa më të rrepta ndaj huamarrjes në sektorin e ndërtimit, kontroll më të kujdesshëm të rrezikut bankar dhe kufizim të ndërhyrjeve në tregun valutor.
Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar zyrtarisht Bankës së Shqipërisë të rrisë monitorimin mbi kreditë e dhëna për ndërtim dhe projektet e mbështetura në pasuri të paluajtshme. Në rezolutën e miratuar për vlerësimin e aktivitetit të BSH gjatë vitit 2024, theksohet nevoja për mbikëqyrje më të fortë të ekspozimit të bankave ndaj huamarrësve të mëdhenj dhe për diversifikimin e portofolit të kredive, me qëllim shmangien e përqendrimeve të rrezikshme në sektorë të caktuar.
Kuvendi i ka rekomanduar Bankës Qendrore të sigurojë që sistemi bankar të ruajë kapitalizimin dhe qëndrueshmërinë, edhe në rastet kur huamarrësit kryesorë përballen me vështirësi financiare. Që prej 1 korrikut, BSH ka vendosur kufizime të reja për raportin e kredisë ndaj vlerës së pronës dhe raportin e borxhit ndaj të ardhurave, me synimin për të ulur rrezikun e dështimit të kredive.
Sipas rregullave të reja, për kreditë në lekë, bankat nuk mund të financojnë më shumë se 85% të vlerës së banesës së parë dhe 80% për të dytën, ndërsa për kreditë në valutë, kufiri bie përkatësisht në 75% dhe 70%. Po ashtu, kësti mujor i kredisë nuk mund të tejkalojë 40% të të ardhurave të huamarrësit për shtëpinë e parë dhe 35% për të dytën.
Të dhënat e fundit tregojnë se raporti i kredive me probleme është rritur ndjeshëm, duke arritur në 4.4% në shtator, niveli më i lartë i dhjetë muajve të fundit. Për këtë arsye, Kuvendi i ka kërkuar Bankës së Shqipërisë të mbajë një qëndrim të kujdesshëm edhe ndaj ndërhyrjeve në tregun valutor, duke e lejuar kursin e këmbimit të funksionojë si mekanizëm vetërregullues për ruajtjen e ekuilibrave ekonomikë.
Vitin e kaluar, BSH bleu 933 milionë euro nga tregu, ndërsa vetëm në nëntëmujorin e parë të këtij viti shifra ka arritur në rreth 800 milionë euro. Këto ndërhyrje kanë frenuar rënien e euros, e cila aktualisht vlerësohet rreth 2% më e ulët krahasuar me vitin e kaluar.
Parlamenti i kërkon gjithashtu Bankës së Shqipërisë të rrisë kontrollin mbi institucionet jobankare dhe zyrat e këmbimit valutor, për të siguruar transparencë, integritet dhe zbatim të plotë të rregulloreve të reja financiare.
Një tjetër kërkesë e rëndësishme e Kuvendit është forcimi i mbrojtjes ndaj sulmeve kibernetike në sistemin bankar dhe zhvillimi i testimeve të sigurisë për çdo bankë sistemike, me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar në kushtet e rreziqeve të reja teknologjike.
