
Deputetët pritet të shqyrtojnë një paketë projektligjesh, ndërsa në qendër të seancës do të jetë edhe mocioni me debat për masat e qeverisë ndaj krimit të organizuar
Kuvendi i Shqipërisë mban sot, në orën 10:00, seancën e radhës plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar një sërë projektligjesh dhe vendimesh me rëndësi, si dhe një mocion me debat për masat e marra nga qeveria në luftën me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar.
Një nga momentet kryesore të seancës së sotme pritet të jetë betimi para deputetëve i Avokatit të ri të Popullit, Endri Shabani, i cili do të marrë zyrtarisht detyrën pas këtij akti formal.
Në fillim të seancës do të bëhet miratimi i procesverbalit të seancës së datës 11 dhjetor 2025 dhe do të ketë njoftime nga drejtuesit e Kuvendit. Më pas, deputetët do të shqyrtojnë projektligjin për ratifikimin e Traktatit të Riadit për disenjot, si dhe projektligjin për kujdesin alternativ në familje në Republikën e Shqipërisë.
Në rendin e ditës janë përfshirë edhe ndryshime në ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi, ligjin për diasporën, projektligji për vullnetarizmin, si dhe ndryshime në ligjin për ndryshimet klimatike. Po ashtu, do të diskutohet projektligji për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve dhe ai për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve.
Pika më e debatueshme e seancës pritet të jetë mocioni me debat për masat e marra nga qeveria në luftën kundër krimit të organizuar, ku parashikohen përplasje politike dhe qëndrime të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
Në fund të seancës, Kuvendi do të shqyrtojë projektvendimin për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave, si dhe disa ndryshime që lidhen me strukturat dhe pagat e institucioneve të drejtësisë. Seanca do të mbyllet me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
