
Ylli francez i Real Madridit mori një makinë të personalizuar nga partneriteti me BMW, por mungesa e patentës e detyron ta admirojë vetëm nga parkingu.
Ylli i futbollit Kylian Mbappé ka tërhequr vëmendjen e mediave spanjolle pasi, ndonëse mori një BMW i7 luksoze dhe të personalizuar, nuk mund ta ngasë atë në rrugët e Madridit, për një arsye të thjeshtë: nuk ka patentë.
Real Madridi, në bashkëpunim me kompaninë BMW, rinovoi këtë vit marrëveshjen e sponsorizimit që përfshin shpërndarjen e automjeteve të reja për të gjithë futbollistët e ekipit të parë. Secilit prej tyre iu dha mundësia të zgjedhë modelin e preferuar dhe ta personalizojë me një pllakë që mban emrin e vet.
Mbappé, që iu bashkua Real Madridit verën e kaluar, zgjodhi një BMW i7 në ngjyrë të zezë me interier ekskluziv, por paradoksi është se ai nuk mund ta përdorë.
Në një deklaratë për mediat, lojtari francez tha me humor:
“Patentën s’e kam marrë kurrë sepse për mua nuk ka qenë ndonjë përparësi. Ndoshta një ditë, por për momentin nuk kam nevojë për të.”
Shokët e skuadrës nuk kanë munguar ta ngacmojnë, duke i thënë: “ka makinën më të bukur në parking, por s’ka të drejtë t’i prekë pedalet”.
Në rrjetet sociale, tifozët kanë ironizuar situatën, duke e quajtur Mbappén “milionerin pa patentë”, ndërsa vetë BMW ka reaguar me humor duke postuar:
“Kur s’e nget dot, të paktën shijoje në mënyrë elektrike.”
Për momentin, makina e re e Mbappés mbetet më shumë simbol statusi sesa mjet transporti, ndërsa ylli francez duket i kënaqur ta lërë drejtimin në duart e shoferit personal.