Pas javësh spekulimesh në rrjetet sociale, ylli i Barcelonës Lamine Yamal ka prishur heshtjen duke konfirmuar ndarjen nga këngëtarja argjentinase Nicki Nicole, duke theksuar se vendimi nuk lidhet me asnjë formë pabesie.
Futbollisti 18-vjeçar, një nga figurat më të përfolura të momentit në sportin europian, ka folur publikisht për marrëdhënien e tij me këngëtaren e njohur Nicki Nicole. Në një intervistë për gazetarin spanjoll Javi Hoyos, Yamal ka vënë në fund zërave që kishin pushtuar rrjetet sociale ditët e fundit. “Nuk jemi më bashkë,” deklaroi ai, duke konfirmuar ndarjen për herë të parë.
Deklarata e tij erdhi pas një vale komentesh dhe spekulimesh që nisën kur ndjekësit vunë re se çifti nuk shfaqej më në publik dhe se fotot e përbashkëta ishin fshirë nga rrjetet sociale. Shumë prej fansave nisën të dyshonin për një krisje në marrëdhënie, madje disa media publikuan aludime për një “pabesie të mundshme” nga ana e futbollistit.
Por Yamal i mohoi kategorikisht këto pretendime. “Nuk ka pasur asnjë tradhti, as nga unë dhe as nga ajo. Thjesht vendosëm të ndaheshim. Çdo gjë që thuhet përtej kësaj nuk është e vërtetë,” theksoi lojtari i Barcelonës, duke kërkuar respekt për privatësinë e tij.
Lidhja mes Yamal dhe Nicki Nicole ishte kthyer në një fenomen në rrjetet sociale, me miliona ndjekës që i konsideronin si njërin nga çiftet më simpatikë të brezit të ri. Ata u panë shpesh në evente publike dhe koncerte, ndërsa postimet e tyre të përbashkëta në Instagram fitonin mijëra pëlqime brenda pak minutash.
Në javët e fundit, megjithatë, vëmendja ishte zhvendosur nga romanca tek misteri. Mungesa e ndërveprimeve online, distanca fizike dhe heshtja e tyre publike ushqyen thashethemet për ndarje.
Sipas raportimeve të programit “D Corazón”, Yamal vendosi të flasë për të mbyllur këtë kapitull pa mëdyshje. “Ishte koha për ta thënë qartë, që njerëzit të ndalonin së foluri në vendin tonë,” u shpreh ai.
Nga ana e saj, Nicki Nicole nuk ka bërë ende asnjë reagim publik, duke zgjedhur të përqendrohet në karrierën e saj muzikore. Në postimet e fundit, ajo është shfaqur në studio dhe në skena koncertesh, duke mos përmendur aspak jetën personale.
Me këtë ndarje të konfirmuar, Lamine Yamal e mbyll një nga episodet më të zhurmshme jashtë fushës, duke u përpjekur të ruajë qetësinë dhe fokusin në karrierën e tij, ndërsa bota e sportit dhe ajo e muzikës komentojnë ende fundin e një lidhjeje që kishte pushtuar faqet e para të mediave.
