
Qindra qytetarë morën pjesë në ceremoninë mortore të vajzës së vogël, e cila u vra gjatë sulmit me armë në plazhin e Bondit, një nga ngjarjet më të rënda të motivuara nga urrejtja në historinë e vendit
Qindra persona u mblodhën në Sydney për t’i dhënë lamtumirën e fundit Matildës 10-vjeçare, viktima më e re e sulmit të armatosur që tronditi Australinë në plazhin e Bondit. Ceremonia mortore u zhvillua në Chevra Kadisha Memorial Hall, ku familjarë, miq dhe qytetarë të prekur nga tragjedia nderuan kujtimin e vajzës së vogël.
Matilda u qëllua për vdekje gjatë një aktiviteti festiv hebraik, ndërsa ndodhej pranë motrës së saj gjashtëvjeçare. Ajo ndërroi jetë pak orë më vonë në spital, duke u bërë simbol i dhimbjes kombëtare pas sulmit ku humbën jetën gjithsej 15 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Të pranishmit mbanin lule shumëngjyrëshe dhe tullumbace me figura bletësh, nofka me të cilën Matilda njihej nga familja dhe shokët. Fotografitë e saj, ku shfaqej e buzëqeshur vetëm pak orë para sulmit, janë kthyer në një simbol zie për gjithë Australinë.
Prindërit e Matildës, të ardhur nga Ukraina vite më parë për një jetë më të sigurt, u shprehën të shkatërruar nga humbja. Ata treguan se emrin Matilda e kishin zgjedhur si një lidhje simbolike me Australinë, vendin ku vajza e tyre kishte lindur dhe po rritej.
Autoritetet australiane kanë bërë me dije se sulmi u krye nga dy persona, baba e bir, të frymëzuar nga ideologji ekstremiste, duke e cilësuar ngjarjen si një nga aktet më të rënda të dhunës së motivuar nga urrejtja në historinë e vendit.
Humbja e Matildës ka prekur thellë opinionin publik, duke rihapur debatin mbi sigurinë, ekstremizmin dhe mbrojtjen e fëmijëve, ndërsa Australia vazhdon të mbajë zi për viktimat e pafajshme të kësaj tragjedie.
