
Kreu i “Shqipëria Bëhet” kërkon pjesëmarrje si qytetarë dhe bashkim vetëm rreth kauzës për zgjedhje të lira dhe demokratizim të vendit
Adriatik Lapaj ka deklaruar se nuk do t’i bashkohet protestës së thirrur nga Partia Demokratike të hënën në orën 18:00, nëse ajo zhvillohet me simbole dhe logo partiake. Gjatë një interviste mediatike, Lapaj theksoi se pjesëmarrja e tij dhe e forcës që ai drejton është e kushtëzuar me largimin e flamujve të partive dhe zbritjen në shesh si qytetarë.
Sipas Lapajt, çdo forcë politike që synon rrëzimin e qeverisë së Edi Rama duhet të jetë e gatshme të lërë mënjanë interesat partiake dhe të bashkohet rreth një kauze të vetme, demokratizimit të Shqipërisë dhe zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Ai u shpreh se askush nuk mund ta fitojë betejën i vetëm me partinë e vet dhe se zgjidhja është që secili ta lërë partinë dhe flamurin në seli, për të dalë në shesh pa logo, por me një qëllim të përbashkët. Sipas tij, kauza duhet të jetë Shqipëria dhe jo partitë.
Kreu i Shqipëria Bëhet theksoi gjithashtu se kush e ka seriozisht përballjen me qeverinë, duhet ta tregojë me vepra duke qenë në shesh si qytetar dhe duke vënë interesin e vendit mbi atë partiak. Ai shtoi se për lëvizjen që përfaqëson, Shqipëria vlen më shumë se çdo parti.
Deklaratat e Lapajt vijnë si një qëndrim i drejtpërdrejtë ndaj organizatorëve të protestës dhe ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha, duke hapur debat mbi mënyrën se si opozita duhet të bashkohet përballë qeverisë dhe nëse protestat duhet të zhvillohen nën flamuj partiakë apo si lëvizje qytetare.
