Biseda
Dyrnjaja: Kur po të dëgjoja, po mendoja me vete mos njerëzit ju paragjykojnë, si një ripërsëritje e Erion Veliajt. Duhet të kujtojmë se MJAFT i Veliajt ishte i bezdisshëm për Nanon, por duke u konsumuar dhe tradhtuar në kohë besueshmëria dhe vërtetësia, ju po merrni koston e asaj që ka ndodhur me faktorë të tjerë. Mos ju ka futur në një rreth vicioz tani? Mos duhet të ndryshoni diçka nga pikëpamja e strategjisë? MJAFT përballë Nanos ishte shumë agresiv, ndaj edhe Veliaj bëri një lloj ndryshimi.
Lapaj: Kam 15 vite në jetën pubike, 13 si aktivist dhe dy vite si themelues i një partie politike. Në zgjedhjet e fundit, u provua se në 8 muaj, dolëm forca e tretë politike, forca më e sulmuar nga sistemi, nga PD, PS dhe partitë e reja, nga analistët që i shërbejnë Ramës. Morëm 64 mijë vota të vlefshme dhe 16 mijë të pavlefshme.
Morëm një mandat, të cilin me regjisor Edi Ramën, që u vërtetua me Avokatin e Popullit, na joshën në fillim dhe pasi ne nuk pranuam, sot jemi përballë, ndërkohë mund të ishim brenda zyrave në krah të tij. Dëshmi më të madhe rezistence, të marrim baltën dhe të përballemi, duke ekspozuar qenërinë e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, nuk di ç’mund të bëjmë më. Nuk mund të funksionojmë si forcë paramilitare.
Dyrnjaja: Nëse nuk do t’ju vinte policia a do të ishte më keq, sepse do të liheshit pa vëmendje? Policia ju krijon lajm, ju ndihmon. Është e vështirë përballja, por në prapavijë krijon një efekt, sepse do të thotë se ka një lloj përballje, reaksioni. Ndryshe do të ishit të izoluar.
Lapaj: Në fakt, nuk ka në të gjithë tranzicionin asnjë aktivist dhe kryetar partie, që në dy javë të procedohet 3 herë penalisht. Na janë bërë 13 procedime brenda një dite dhe 6 herën e parë, 19 procedime dhe 4 arrestimet, që në gjykatë dolën të paligjshme.
Nëse policia nuk do të ndërhynte dhe do të shtonim numrin e çadrave, këtu do të kishte mbi 100 vetë që do të flinin 24 orë. Ditën që kanë ndërhyrë kemi qenë 34 vetë.
Sot në kushtet atmosferike që jemi, janë 10 vetë. Ata kanë ndërhyrë në kushtet e të qenurit të detyruar për të mos lejuar përhapjen. Nuk e shoh si favor, por si shenjë paniku të Ramës, përballë faktit që nuk është në pazar me ata që ka përballë. Është në panik total sepse e di që çdo zjarr ndizet nga një shkëndijë. Ai e di, që kjo gjë mund ta ndezë zjarrin dhe flakën.
