
Kreu i “Shqipëria Bëhet” fton qytetarët në Bulevardin Dëshmorët e Kombit
Kreu i Partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka njoftuar organizimin e një proteste masive më 20 dhjetor, në orën 12:00, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Thirrja vjen pas më shumë se një jave proteste të vazhdueshme para Kryeministrisë, e nisur më 8 dhjetor.
Me sloganin “Edi Rama jep dorëheqjen, koha jote ka mbaruar”, Lapaj u ka bërë apel qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke e cilësuar situatën politike dhe qeverisjen aktuale si të papranueshme dhe të konsumuar.
Njoftimi për protestën vjen në një klimë të tensionuar politike, ndërsa disa ditë më parë edhe ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi një protestë tjetër masive më 22 dhjetor. Kjo përplasje datash dhe thirrjesh ka shtuar debatet dhe akuzat për lëvizje të koordinuara në skenën politike.
Ditën e djeshme, Policia e Shtetit ndërhyri duke larguar me forcë Adriatik Lapajn dhe mbështetësit e tij nga perimetri i sigurisë pranë Kryeministrisë, në kuadër të masave të marra për protestën e paralajmëruar të Partisë Demokratike. Spostimi nga trotuari në bulevardin Dëshmorët e Kombit çoi në përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.
Gjatë konfrontimit mbeti i lënduar një nga mbështetësit e Lapajt, i cili u transportua me ambulancë drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Pas ndërhyrjes së policisë, Lapaj deklaroi se veprimi i autoriteteve dëshmon bashkëpunim mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, duke theksuar se për protestën e paralajmëruar të kreut të Partisë Demokratike po sigurohen kushte teknike si energjia elektrike, ndriçimi dhe pajisjet e zërit.
Protesta e 20 dhjetorit pritet të jetë një test force për lëvizjen e drejtuar nga Lapaj, ndërsa fundi i vitit po shoqërohet me rritje të tensioneve dhe thirrje të njëpasnjëshme për mobilizim qytetar në qendër të Tiranës.
